Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Botërore dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 17. 6 % e popullsisë në Kosovë jetojnë në nivelin e varfërisë absolute me më pak se 1.82€ në ditë për një person të rritur dhe 5.3 % e popullsisë jetojnë në nivelin e varfërisë së skajshme me më pak se 1.20€ në ditë.
Kështu thuhen në një përgjigje për arbresh.info nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Sa i përket numrit të familjeve që janë shfrytëzues të ndihmës sociale në gjithë Kosovën nëntëmujorin e viti të kaluar ka qenë 25 mijë e 259 familje shifër e cila këtë nëntë mujor ka një rënie me 24 mijë e 526 familje.
“Në periudhën janar-shtator të vitit 2018 numri i shfrytëzuesve të ndihmës sociale në nivel vendi ka qenë 25 mijë e 259 familje, me 103.094 anëtarë të familjes, me shumë mujore 2,686,217.50 €, kurse në periudhën janar-shtator të vitit 2019 kishte 24 mijë e 526 familje, me 99.718 anëtarë të familjes, në shumë mujore prej 2,603,022.50€”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale komuna që ka numrin më të madh të shfrytëzuesve të ndihmës sociale është komuna e Mitrovicës me 2 mijë e 318 familje, ndërsa komuna më numrin më të vogël të familjeve e ka komuna e Mamushës me 23 familje.
Sociologu, Labinot Konushevci në një përgjigje për arbresh.info ka vlerësuar se përqindjet jo gjithmonë janë reale sepse disa drejtori komunale të mirëqenies sociale janë të prirura ta minimizojnë nivelin e lartë të varfërisë, duke zvogëluar statistikat e familjeve të varfra dhe të atyre që marrin asistencë sociale.
Sipas tij e gjitha kjo bëhet për të mos paraqitur komunën e tyre me nivel të lartë varfërie, me nivelin real pasi që siç thotë ai kjo është një tregues i punës institucionale të tyre.
Konushevci ka dhënë një lëvdatë për shoqatat dhe fondacionet humanitare që po ju dalin në ndihmë familjeve në nevojë, por që kjo në anën tjetër po tregon sipas tij dështimin e shteti dhe institucioneve përkatëse.
“Puna, angazhimi dhe rezultatet pozitive të shoqatave dhe fondacioneve humanitare janë për t’u admiruar sepse ato po ndikojnë në zbutjen e varfërisë absolute, sidomos të atyre familjeve që mbijetesën e kanë në rrezik ekstrem, por kjo në anën tjetër tregon dështimin e shtetit, institucioneve, komunave, drejtorive të mirëqenies sociale, Ministrisë së Mirëqenies Sociale, qeverisë në përgjithësi dhe gjithë mekanizmave publik që bartin përgjegjësi për mirëqenien dhe standardin ekonomik të qytetarëve, përkatësisht mjerimin e tyre”, ka thënë Konushevci.
Sipas sociologut Labinot Konushevci janë një sërë faktorësh serioz që ndikojnë në këtë fenomen duke filluar nga dallimi i madh që ekziston mes shtresës së varfër dhe të pasur.
Varfëria është dukuri shoqërore dhe jo natyrore, prandaj pabarazia ekstreme që dominon në Kosovë, hendeku i madh ndërmjet shtresës së varfër dhe shtresës së pasur, dhe reduktimi i shtresës së mesme, me dominimin e oligarkëve dhe kriminelëve ekonomikë, me abuzimin dhe keqpërdorimin e parasë publike, me nivelin e lartë të korrupsionit, me tregun e varfër të punës dhe deformimin e meritokracisë në procesin e rekrutimit të punëtorëve të rinj paralelisht me krijimin e vendeve të reja të punës, janë faktorë serioz në këtë fenomen” tregoi Konushevci.
Konushevci tutje thotë se ndryshimet dhe variablat në shifrat e përfituesve të skemave sociale ndryshojnë varësisht nga ndryshimi i gjendjes ekonomike të njerëzve dhe sipas tij këtu ka një ndikim edhe dukuria e migrimit nga Kosova në Perëndim.
Ndryshe për periudhën e janar-shtator të këtij viti në nivel vendi për ndihmë sociale, për herë të parë kanë aplikuar gjithsej 2 mijë 936 familje, prej tyre 2 mijë 223 kërkesa janë aprovuar, kurse 713 kërkesa janë refuzuar./arbresh.info/R.Rexhepi/