Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, i ka caktuar një muaj paraburgim Albert Sylaj, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharaxhiu, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj të pandehurit A.S. ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, në përputhje me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK).
Masa e paraburgimit llogaritet nga data 27.10.2026, në ora 23:40, deri me 27.11.2026.
Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda dyzetetetë (48) orëve nga momenti i pranimit të aktvendimit. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit nëpërmjet Gjykatës Themelore në Pejë.




