Dosja e Prokurorisë në Pejë zbulon detajet rrënqethëse nga momenti i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës mbrëmjen e së dielës nga kunati i saj, Albert Sylaj.
KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, dhe në të përshkruhen veprimet e të dyshuarit në ditën kritike.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se i dyshuari Albert Sylaj nga hakmarrja e paskrupullt e ka privuar nga jeta ish-kunatën e tij, pasi kjo e fundit e kishte raportuar vëllanë e tij (ish-burrin e saj) për dhunë në familje.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, pasi e ndjera ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor në Pejë, ku e kishte raportuar dhunën nga ana e ish-bashkëshortit të saj, i pandehuri Albert Sylaj në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij (Jeton Sylajt) nga Policia, në momentin kur viktima kishte hyrë në dhomën e saj të fjetjes i pandehuri e merr sëpatën dhe hyn në dhomën ku ishte viktima.
Sipas Prokurorisë, viktima ishte munduar të fshihej pas derës dhe i pandehuri fillon ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, e për pasojë ajo mbetet e vdekur në vend të ngjarjes.
Vrasja, sipas dosjes, kishte ndodhur në prani të djalit të mitur të viktimës, të fëmijëve të mitur të dorasit dhe nënës së dorasit.
Sylajt iu caktua masa e paraburgimit prej një muaj, ndërsa mbrojtja e tij kishte kërkuar dorëzani si zëvendësim./kallxo.com




