Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka bërë të ditur se pacientja e cila ishte shtrirë në QKUK nuk është e prekur nga koronavirusi.
Kështu ka thënë ai para gazetarëve duke shtuar se Kosova është e përgatitur për parandalimin e kësaj epidemie, njofton Klan Kosova.
“Duke pasur parasysh se ne kemi marrë rezultatet brenda katër orëve – ato kanë rezultuar negative. Pacientja nuk është e sëmurë me koronavirus”.
“Unë i kam hulumtuar vetëm rastet e mëhershme gjatë të shtunës në mbrëmje, sot nuk kemi pasur shumë kohë sepse jemi përgatitur për hyrjet në kufi dhe ato tokësore”.
“Rasti i të shtunës kanë qenë një qift që ka dyshuar se është i prekur nga kjo sëmundje për shkak të daljes jashtë shtetit; mirëpo analizat kanë rezultuar negative”.
“IKSHP tashmë është përgatitur dhe që një muaj e gjysmë i ka të gjitha dokumentet përkatëse për të gjitha aktivitetet e parandalimit. Laboratori është furnizuar dy javë pasi kanë dalë rezultatet e para prej prodhimit”.
“Tash janë bërë më shumë se tre javë që IKSH është furnizuar me analiza laboratorike të nivelit më të lartë të laboratorëve më prestigjioze evropiane”.