Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj personit me iniciale A.M, i cili dyshohet se në ditën e zgjedhjeve ka fotografuar votën e tij dhe e ka publikuar në rrjete sociale, shkruan Gazeta Metro.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.M., me 6 tetor rreth orës 13:20 minuta në Mamushë në vendvotimin 3201A në shkollën fillore “Anadolu” cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, në atë mënyrë që pasi voton fletëvotimin përmes telefonit celular “Samsung Galaxy J3” e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetin social Facebook.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.M., ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’ sipas KPRK’së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Ndryshe, në ditën e zgjedhjeve sipas policisë janë shënuar mbi 20 raste të fotografimit të votës./gazetametro.net