Alergjitë mund të shfaqen edhe në moshë të rritur, pavarësisht se personi nuk ka pasur probleme alergjike gjatë fëmijërisë. Faktorë të ndryshëm, përfshirë predispozicionin gjenetik, ndotjen e ajrit, ekspozimin ndaj alergjenëve dhe ndryshimet në sistemin imunitar, mund të ndikojnë në zhvillimin e tyre.
Në një intervistë për rubrikën “Mjeku i Javës” të Gazetës Shneta, Denis Gorçi alergolog dhe imunolog klinik, flet për faktorët që ndikojnë në shfaqjen e alergjive, simptomat që ndihmojnë në dallimin e tyre nga infeksionet respiratore, metodat e diagnostikimit dhe mundësitë e trajtimit.
Gorecki thekson se alergjitë mund të shfaqen në çdo fazë të jetës dhe se diagnostikimi i saktë është thelbësor për vlerësimin e rrezikut dhe përcaktimin e trajtimit të duhur.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Si shpjegohet që një person mund të zhvillojë alergji në moshë të rritur, edhe pse gjatë fëmijërisë nuk ka pasur asnjë problem alergjik?
Denis Gorçi: Fakti që një person nuk ka pasur alergji në fëmijëri nuk do të thotë se nuk mund të zhvillojë alergji më vonë gjatë jetës. Alergjia është rezultat i ndërveprimit kompleks ndërmjet predispozicionit gjenetik, sistemit imunitar dhe ekspozimeve mjedisore, dhe këta faktorë ndryshojnë gjatë gjithë jetës.
Në mënyrë të thjeshtuar, sistemi imunitar mund të bëhet i sensibilizuar ndaj një alergjeni pas ekspozimeve të përsëritura ose në rrethana të caktuara. Në rastin e alergjive të ndërmjetësuara nga IgE, kjo përfshin prodhimin e antitrupave specifikë IgE dhe lidhjen e tyre me mastocitet dhe bazofilet. Në një ekspozim të mëvonshëm, alergjeni mund të shkaktojë aktivizimin e këtyre qelizave dhe çlirimin e mediatorëve si histamina, leukotrienet dhe prostaglandinat.
Prandaj, mosha nuk e përjashton sensibilizimin e ri. Për shembull, një i rritur mund të zhvillojë rinit alergjik pasi ekspozohet për vite ndaj poleneve, mund të zhvillojë alergji ushqimore në moshë madhore, ose alergji ndaj një bari pas ekspozimeve të mëparshme të toleruara. Alergjitë ushqimore të fillimit në moshë të rritur janë tashmë të mirë-dokumentuara në literaturë.
Pra, është më e saktë të themi se sistemi imunitar është dinamik gjatë gjithë jetës dhe fenotipi alergjik mund të shfaqet, ndryshojë ose zgjerohet edhe në moshën adulte.
Cilët janë faktorët kryesorë që mund të ndikojnë në shfaqjen e alergjive te të rriturit?
Dr. Denis Gorçi: Nuk ekziston një faktor i vetëm. Zakonisht kemi një ndërveprim ndërmjet gjenetikës dhe ekspozimeve mjedisore, të cilit në literaturën moderne i referohemi shpesh si exposome.
Ndër faktorët kryesorë mund të përmendim:
Predispozicioni gjenetik/atopia – historia familjare e rinitit alergjik, astmës, dermatitit atopik apo alergjive ushqimore rrit predispozicionin.
Ekspozimi ndaj alergjenëve – polenet, pluhurit të shtëpisë, epitelet e kafshëve, myku, alergjenët ushqimorë, helmet e insekteve etj.
Ndotja e ajrit dhe irrituesit respiratorë, përfshirë grimcat PM2.5/PM10, ozonin, NO₂ dhe tymin e duhanit.
Profesioni – ekspozimi ndaj miellit, lateksit, kafshëve, kimikateve, enzimave dhe substancave të tjera mund të shkaktojë sensibilizim profesional.
Duhani dhe ekspozimi pasiv ndaj tymit.
Infeksionet respiratore dhe ndryshimet në mikrobiomë, të cilat mund të ndikojnë në rregullimin e përgjigjes imunitare.
Ndryshimet e barrierës epiteliale, veçanërisht të lëkurës dhe mukozave.
Ndryshimet hormonale dhe fiziologjike, si dhe disa sëmundje bashkëshoqëruese.
Obeziteti dhe faktorët metabolikë, të cilët lidhen veçanërisht me fenotipe të caktuara të inflamacionit të rrugëve të frymëmarrjes.
Ndryshimet klimatike dhe urbanizimi, të cilat ndryshojnë kohëzgjatjen dhe intensitetin e ekspozimit ndaj poleneve dhe ndotësve.
A mund të shkaktojnë alergji faktorët e ambientit, ndotja e ajrit, pluhuri apo ndryshimet klimatike dhe si ndikon kjo në organizëm?
Dr. Denis Gorçi: Po, por duhet bërë një dallim i rëndësishëm: jo çdo faktor ambiental është vetë një alergjen. Disa faktorë mund të shkaktojnë sensibilizim, ndërsa të tjerë kryesisht rrisin inflamacionin dhe rëndojnë një sëmundje alergjike ekzistuese.
Ndotja e ajrit mund të dëmtojë barrierën epiteliale të rrugëve të frymëmarrjes dhe të shkaktojë stres oksidativ e inflamacion. Kjo mund të rrisë reaktivitetin e rrugëve të frymëmarrjes dhe të favorizojë ndërveprimin midis alergjenëve dhe sistemit imunitar.
Grimcat e ndotjes mund të veprojnë edhe si adjuvantë, duke ndryshuar mënyrën se si sistemi imunitar përgjigjet ndaj alergjenëve. Për shembull, ekspozimi ndaj ndotjes urbane mund të përkeqësojë simptomat e rinitit alergjik dhe astmës.
Ndryshimet klimatike kanë rëndësi të veçantë. Rritja e temperaturave dhe ndryshimi i modeleve të reshjeve mund të ndikojnë në shpërndarjen gjeografike të bimëve, kohëzgjatjen e sezonit të polenizimit dhe sasinë e polenit në atmosferë. Për disa alergjenë, sezoni mund të fillojë më herët dhe të zgjasë më gjatë.
Për këtë arsye, alergologjia moderne e konsideron mjedisin një komponent shumë të rëndësishëm të sëmundjeve alergjike dhe astmës. Udhëzimet EAACI theksojnë se ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit lidhet me përkeqësim të rezultateve të astmës dhe rritje të rrezikut për vizita urgjente dhe hospitalizime.
Cilat janë simptomat që tregojnë se mund të kemi të bëjmë me alergji dhe jo me një ftohje apo infeksion respirator?
Dallimi nuk është gjithmonë absolut, por karakteri dhe kohëzgjatja e simptomave japin shumë informacion.
Në rinitin alergjik janë tipike:
Teshtima të përsëritura, shpesh në seri;
kruajtje e hundës, syve ose qiellzës;
rrjedhje e hollë dhe ujore nga hunda;
bllokim nazal;
lotim dhe skuqje të syve;
simptoma që përsëriten në të njëjtin sezon ose pas ekspozimit ndaj një alergjeni;
mungesë e temperaturës.
Në infeksionet virale janë më të zakonshme dhimbja e fytit, temperatura, gjendja e përgjithshme jo e mirë, mialgjitë dhe sekrecionet që mund të bëhen më të trasha gjatë evolucionit të infeksionit.
Një tjetër element i rëndësishëm është përsëritshmëria: nëse një pacient çdo pranverë ka teshtima, kruajtje të syve dhe rrjedhje ujore nga hunda, kjo është shumë më sugjestive për rinit alergjik sesa për infeksion respirator.
Megjithatë, duhet theksuar se alergjia dhe infeksioni mund të bashkëekzistojnë, ndaj diagnoza nuk duhet vendosur vetëm nga një simptomë.
A mund të shfaqet për herë të parë në moshë të rritur alergjia ndaj ushqimeve, barnave apo substancave me të cilat personi ka pasur kontakt për vite?
Dr. Denis Gorçi: Po, absolutisht. Toleranca e mëparshme nuk garanton tolerancë të përhershme.
Në alergjitë ushqimore, një person mund të konsumojë një ushqim për shumë vite dhe më pas të zhvillojë sensibilizim dhe reaksion klinik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme te disa alergji të të rriturve, përfshirë alergjinë ndaj frutave, arrorëve, peshkut dhe produkteve të detit, si dhe sindromat e lidhura me polenet.
Edhe alergjia ndaj barnave mund të shfaqet pas ekspozimeve të mëparshme të toleruara. Një pacient mund të ketë marrë një antibiotik disa herë pa problem dhe në një ekspozim të mëvonshëm të zhvillojë reaksion. Kjo lidhet me faktin se sensibilizimi imun mund të ndodhë gjatë një ekspozimi të mëparshëm dhe reaksioni klinik të shfaqet më vonë.
Është shumë e rëndësishme të bëhet dallimi midis alergjisë së vërtetë dhe reaksioneve të tjera të padëshiruara. Për shembull, jo çdo skuqje trupore pas një antibiotiku është alergji ndaj antibiotikut.
Pikërisht për këtë arsye, një histori e detajuar klinike dhe vlerësimi alergologjik janë shumë të rëndësishme. Në alergjinë ndaj barnave, testet e lëkurës (Prick dhe IDR) përdoren në situatat e përshtatshme, ndërsa në raste të selektuara drug provocation test (DPT) konsiderohet standardi referencë për vlerësimin diagnostik, gjithmonë duke marrë parasysh rrezikun individual.
Si përcaktohet shkaktari i alergjisë dhe cilat ekzaminime përdoren për diagnostikimin e saj?
Dr. Denis Gorçi: Diagnostikimi modern i alergjisë nuk bazohet vetëm në një analizë gjaku. Fillon me një anamnezë shumë të detajuar: kur shfaqen simptomat, sa shpejt pas ekspozimit, sa zgjasin, në çfarë ambienti ndodhin, a janë sezonale, çfarë ushqimi ose bari është përdorur, ekspozimet profesionale etj.
Më pas, në varësi të dyshimit klinik, mund të përdoren:
Skin prick test (SPT) – veçanërisht për alergjenët inhalatorë dhe ushqimorë.
IgE specifike në serum – për alergjenë individualë ose panele të përcaktuara nga historia klinike.
Component-resolved diagnostics (CRD) – analiza molekulare që identifikojnë IgE ndaj komponentëve specifikë të alergjenit. Kjo mund të ndihmojë në dallimin midis sensibilizimit primar dhe disa reaksioneve të kryqëzuara dhe në vlerësimin më të detajuar të rrezikut në raste të caktuara.
Patch test – veçanërisht i rëndësishëm në dermatitin alergjik të kontaktit dhe reaksionet e vonshme të tipit IV.
Testet funksionale, sipas sëmundjes: spirometri, bronkodilatator test, FeNO dhe ekzaminime të tjera në astmë.
Testet e provokimit – ushqimor, medikamentoz ose të tjera, kur indikohen. Në alergjinë ushqimore, oral food challenge (OFC) i mbikëqyrur nga personel i specializuar mund të jetë testi që konfirmon ose përjashton diagnozën kur historia dhe testet paraprake nuk janë përfundimtare.
Një parim themelor është se sensibilizimi nuk është gjithmonë i barabartë me alergjinë klinike. Një IgE specifike pozitive ose skin prick test pozitiv duhet interpretuar gjithmonë në kontekstin e historisë dhe fenotipit klinik të pacientit.
A mund të zhduket një alergji me kalimin e kohës dhe cilat janë mundësitë e trajtimit për personat që kanë simptoma të vazhdueshme?
Dr. Denis Gorçi: Po. Historia natyrore e alergjisë ndryshon sipas sëmundjes, alergjenit, moshës së fillimit dhe profilit individual të pacientit. Disa alergji mund të bëhen më të lehta ose të zhduken, ndërsa të tjera mund të persistojnë për shumë vite ose gjatë gjithë jetës.
Për shembull, disa alergji ushqimore të fëmijërisë, veçanërisht ndaj qumështit dhe vezës, mund të kalojnë me kalimin e kohës, ndërsa alergjitë ndaj kikirikut, arrorëve dhe disa alergjenëve të tjerë kanë tendencë më të madhe për persistencë. Edhe te të rriturit mund të ketë ndryshime të historisë natyrore dhe rivlerësimi periodik mund të jetë i nevojshëm.
Trajtimi varet nga diagnoza. Ai mund të përfshijë:
Shmangien e ekspozimit, kur është e mundur dhe klinikisht e justifikuar;
terapi medikamentoze bazuar në ashpërsinë e simptomave;
trajtim të kontrolluar të astmës sipas fenotipit dhe udhëzimeve;
trajtim të dermatitit atopik dhe sëmundjeve të tjera alergjike sipas rëndesës;
adrenalinë auto-injektuese te pacientët me indikacion pas reaksioneve sistemike/anafilaksisë;
dhe, në pacientët e përshtatshëm, imunoterapi specifike ndaj alergjenit (AIT – Vaksina).
Imunoterapia është veçanërisht e rëndësishme sepse nuk synon vetëm kontrollin e simptomave, por modifikimin e përgjigjes imunologjike ndaj alergjenit. SCIT dhe SLIT mund të reduktojnë simptomat dhe nevojën për medikamente dhe kanë potencial për efekt të qëndrueshëm edhe pas përfundimit të trajtimit.
Alergjia nuk duhet parë si një gjendje që thjesht duhet “duruar”. Sot kemi mundësi shumë më të mira për diagnostikim të saktë, kontroll të simptomave dhe, në disa sëmundje, trajtim që ndikon edhe në mekanizmin bazë të sëmundjes.
Alergjia nuk është vetëm një reagim ndaj një substance; është rezultat i ndërveprimit midis predispozicionit individual, sistemit imunitar dhe mjedisit ku jetojmë. Prandaj alergjia mund të shfaqet në çdo fazë të jetës. Qëllimi i alergologut nuk është vetëm të identifikojë alergjenin, por të përcaktojë nëse sensibilizimi ka rëndësi klinike, të vlerësojë rrezikun dhe të zgjedhë trajtimin më të përshtatshëm për pacientin.
Dr.Denis Gorçi Alergolog dhe Imunolog Klinik




