Tensionet për emërimin e imamit të ri në xhaminë e Dumnicës së Podujevës kanë vazhduar edhe gjatë tentimit për të kryer ritualin e faljes së namazit.
Në pamjet e siguruara nga Insajderi, shihet se si imami i emëruar nga Bashkësia Islame e Kosovës futet në xhami me asistencën e Policisë së Kosovës.
Edhe hapja e derës së xhamisë dhe hyrja e tij brenda janë bërë me asistencën e zyrtarëve policorë.
Megjithatë, banorët që po kundërshtojnë emërimin e tij nuk e lejojnë atë ta kryejë ritualin e faljes së namazit.
Kjo situatë vjen pas kundërshtimeve të banorëve ndaj vendimit të BIK-ut për emërimin e imamit të ri. Ata kanë kërkuar që në këtë xhami të shërbejë Fidan Musliu, për të cilin, sipas organizatorit të protestës, Burim Zejnullahu, u ishte premtuar se do të emërohej në xhaminë e re.
Banorët, kanë kundërshtuar vendimin edhe përmes një peticioni me rreth 300 nënshkrime.



