Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar mbrëmë në Shipol të Mitrovicës në mbështetje të kandidatit të PDK-së për këtë komunë, Arian Tahiri.
Krasniqi tha se Tahiri do ta vazhdojë rrugën e Bedri Hamzës, i cili për dekada ishte shembull i profesionistit të palodhur, mikut besnik dhe shërbyesit publik të pakrahasueshëm.
“Bedriu është njeri i vlerave dhe është i pakompromis në standarde dhe nivel, andaj nuk është aspak çudi që ai e ka mbështetur e bashkë me juve e ka zgjedhur Arian Tahirin si pasardhësin e tij. Në këto katër vite, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, Mirovica tregoi se si mund të ecet përpara me një qeverisje kompetente, të ndershme e me duar të pastra. Tani është koha që këtë rrugëtim ta vazhdojmë e ta qojmë edhe më lart dhe personi që e garanton këtë është nënkryetari i Bedriut, kryetari i ardhshëm i Mitrovicës, Arian Tahiri. Andaj, më 12 tetor, PDK, 191, Arian Tahiri. Sepse do të jetë edhe ma mirë për Mitrovicën”, theksoi Krasniqi.
Edhe Bedri Hamza, kryetari aktual i Mitrovicës, duke i falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen e përhershme ndaj tij dhe PDK-së, kërkoi që mitrovicasit ta votojnë në mënyrë masive Arian Tahirin më 12 tetor.
“Flisni me miq, me shokë, me të gjithë që i njihni, mobilizohuni që në mënyrë solemne, në mënyrë masive, në mënyrë festive më 12 tetor, me dalë, me votu dhe me vulosë fitoren e PDK-së”, tha Hamza.
Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri u zotua se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pa dallim.
“Do t’i përfaqësojmë interesat dhe do t’i mbrojmë interesat e secilit qytetar të qytetit të Mitrovicës. Mbështetjen dhe besimin që po na japin qytetarët e Mitrovicës, e marr dhe e ndjej si investim ndaj një gjenerate të re që janë duke e krijuar dhe forcuar. Kjo për ne është nder dhe privilegj, por është edhe përgjegjësi e madhe që këtë besim dhe investim me mbrojtë, me mbajtë dhe me e kthy me punë, me përkushtim, me respekt”, tha ai.