Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka dhënë deklarata të forta lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kritikuar qeverinë aktuale për dëmtimin e këtyre marrëdhënieve strategjike.
Gjatë një interviste të dhënë për Kanal 10, Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për drejtimin që kanë marrë raportet me aleatët amerikanë nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Lideri i PDK-së ka qenë kategorik në vlerësimin e tij për rëndësinë e marrëdhënieve me Uashingtonin, duke theksuar se pa mbështetjen amerikane, Kosova nuk mund të pretendojë për sovranitet të plotë.
“Sovran pa Amerikën, as në zyre tënde nuk je. S’mundesh me qenë sovran pa Amerikën”, ka deklaruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka kundërshtuar kritikat që mund t’i bëhen për një qëndrim të tillë, duke argumentuar se kjo nuk përbën servilizëm. Ai ka sjellë si shembuj shtete të fuqishme evropiane që koordinojnë politikat e tyre me Amerikën.
Sipas Krasniqit, edhe fuqi të mëdha si Franca dhe Gjermania po i bashkërendojnë veprimet me SHBA-në, gjë që tregon pragmatizmin e nevojshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Krasniqi ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për qasjen ndaj Amerikës, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit që kanë çuar në ndaljen e Dialogut Strategjik mes dy vendeve.
Këto deklarata të Krasniqit vijnë në një kohë kur marrëdhëniet Kosovë-SHBA po përballen me sfida serioze, të cilat sipas opozitës janë rezultat i politikave të gabuar të qeverisë aktuale.