4 C
Mitrovice
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Zvogëlimi i ministrive, do të lë pa punë shumë zyrtarë

Projeksionet e dy partive që po negociojnë rreth formimit të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për përgjysmimin e numrit të ministrive të qeverisë së ardhshme, nga 21 ministri sa janë aktualisht në 12, mund të sjellë reduktim të shërbyesve civilë në institucionet e Kosovës, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Në takimet e zhvilluara ndërmjet këtyre dy subjekteve politike ku po negociohet arritja e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë së re, është diskutuar për reduktimin e numrit të ministrive, sipas projeksionit të bashkimit të dy e më shumë ministrive në një.

Të dy partitë tanimë kanë deklaruar se synojnë që qeveria e re të mos ketë më shumë se 12 ministri, duke besuar se zvogëlimi i numrit të ministrive nuk do të ketë si pasojë edhe shkurtime apo reduktimin e numrit të shërbyesve civilë.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin paksa problematike realizimin e këtij synimi. Ndonëse, konsiderojnë se është e nevojshme të zvogëlohet numri i ministrive, njëherësh besojnë se do të reduktohet edhe numri i shërbyesve civil.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, tha për Radion Evropa e Lirë se shkurtimi i ministrive dhe bashkimi i tyre, rrjedhimisht mund të përcillet edhe me shkurtim të stafit.

“Është e pakuptimtë që një numër aq i madh i stafit që ekziston në ministri, kur të bëhen bashkë (dy ministri në një) numri i këtij stafi të mbetet i njëjtë dhe të mos shkurtohet. Secila ministri i ka burimet njerëzore, ka zyrtarë për informim apo pozita tjera që në një ministri të bashkuar nuk ka nevojë të ketë aq shumë staf. Ky do të jetë problemi dhe sfida kryesore e bashkimit të ministrive sesa bashkimi i vet stafit politik apo bashkimi i ministrive”, thotë Demhasaj.

Numri i të punësuarve në sektorin publik është rreth 82 mijë persona. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018, ishte 573 euro.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëpër ministri ka shumë të punësuar me kontratë mbi vepër, të cilët siç thotë ajo, me zvogëlimin e numrit të ministrive do të mund të reduktohen si vende pune.

“Zvogëlimi i numrit të ministrive do të reduktojë numrin e të punësuarve. Ministritë kanë shpallur konkurse javëve të fundit gjë që na ka bërë të mendojmë se ato kanë nevojë për punëtorë, prandaj ndoshta me një strategji të mirëfilltë, secili punëtor të sistemohet në mënyrë që të mos ketë largime masive të punëtorëve nga puna”, thotë Demolli.

Demolli, thekson se Kosovës i duhet Ligji për Qeverinë. i cili, sipas saj, do të rregullonte numrin e ministrive dhe shumë çështje tjera.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT