Me zgjedhjet nacionale në horizont, tendencat dhe ndryshimet në perceptimet e publikut janë ato që partitë politike këmbëngulin të kuptojnë përpara se fati i tyre i ardhshëm katër-vjetor të përcaktohet në kutitë e votimit. Sondazhet e opinionit publik në muajt e fundit kanë ngritur tensionet me disa parti që festojnë rezultate të favorshme, ndërsa të tjera i hedhin poshtë shifrat si jo të besueshme.
Dallimet në përqindje ndërmjet partive por edhe kompanive që i kryejnë këto sondazhe, së bashku me pretendimet e partive politike që mbështeten në anketat e tyre, kanë kontribuar në kompleksitetin e projeksioneve të qarta në afat të gjatë.
Çka thotë UBO?
Sipas matjeve të fundit të UBO Consulting, partitë politike të Kosovës kanë ruajtur në masë të madhe pozicionin e tyre në krahasim me sondazhet e mëparshme.
Partia në pushtet, Vetëvendosje (VV), vazhdon të gëzojë një epërsi të konsiderueshme, me 49.6 për qind, një rritje e lehtë prej 0.1 pikë përqindjeje nga matjet e mëparshme në fillim të vitit 2024.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 17 për qind, një rënie margjinale prej 0.1 pikë përqindjeje gjatë tre muajve të fundit.
Prapa partisë më të madhe opozitare renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 15.5 për qind, një rënie prej 1.5 pikë përqindjeje.
Koalicioni AAK-NISMA nga ana tjetër ka shënuar rritjen më të ndjeshme, duke u ngjitur në 8.6 për qind, që, sipas majteve paraprake të UBO-s, përkthehet në një rritje prej 1.7 pikë përqindje që nga muaji mars.
Partitë më të vogla tregojnë mbështetje të ndryshme: lista GUXO është rritur nga 0.6 për qind në 0.7 për qind, ndërsa Partia Socialdemokrate mbetet në rreth 0.4 për qind. Lista Serbe ka pësuar rënie, me vetëm 3 për qind, sipas sondazhit.
Sondazhi i “Source”
Sondazhi më i fundit për zgjedhjet e ardhshme nacionale ishte ai i kompanisë “Source”, i porositur nga Albanian Post.
Rezultatet e këtij sondazhi janë në kontrast realtivisht të lartë me ato të UBO-së.
Sipas anketës, që përfshin 1,050 të anketuar në 28 komuna, VV dhe partia Guxo së bashku kanë 41 për qind të votave.
Pason PDK-ja me 19.6 për qind, kurse LDK-ja me 19.2 për qind.
Në ndryshim realtivisht të lartë nga sondazhi i UBO-së, “Source” kolacioni AAK-Nisma renditet e katërta me vetëm 6 për qind.
Kundër-anketa e LDK-së
Rreth 7 muaj më parë, Lidhja Demokratike kundërshtoi ashpër një sondazh të UBO-së, i cili – me disa dallime margjinale – paraqiti të njëjtat rezultate si sondazhi i fundit.
Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte quajtur “të porositur” dhe në funksion “të amortizimit të përkohshëm të perceptimit” duke lartësuar shifra në supozimin e gëzimit të legjitimitetit më të madh popullor.
Si përgjigje, LDK-ja kreu anketën e saj të gjerë me 17,000 të anketuar, duke u fokusuar në qytetet e rajonit qendror. Sipas kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, anketa e tyre zbuloi mbështetje shumë më të fortë për LDK-në: 35% në Prishtinë, 42% në Lipjan, 35% në Podujevë, 36% në Obiliq dhe 34% në Fushë Kosovë.
“Deri më tani, kanë përfunduar mbi 17,000 anketa vetëm në regjionin qendër. Rekord anketimesh këto për të siguruar saktësi të paprecedentë statistikore. Në pyetjen se, nëse zgjedhjet nacionale mbahen këtë të diel, për cilën parti do të votonit, rezultatet për LDK, të marra deri më tani vetëm për 5 qytete në regjioninqendër janë: Prishtinë 35% – Lipjan 42% – Podujevë 35% – Obiliq 36% -Fushë Kosovë 34%”, kishte shkruar Abdixhiku.
Haradinaj, skeptik i sondazhit të “Source”
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj është shprehur me skepticizëm për sondazhin e “Source” të publikuar nga Albanian Post.
Në emisionin “Pressing” gjatë javës së dytë të korrikut, Haradinaj e hodhi poshtë sondazhin si “jo serioz”, teksa – me një dozë ironie – shtoi se “ndoshta nuk është përfshirë gjithë koalicioni i AAK-së”, ndërsa shtoi se “në këtë përqindje qëndron Nisma Socialdemokrate”.
“Nuk na ka përfshi, krejt koalicionin, mos e ka përfshi veç Nisman. Nuk është kështu, më vjen keq kushdo që e ka bë këtë, por është joserioze për ta. Arsyetimi është me i pyet mos e kanë bë veç për Nisman, sepse unë po e di që Fatmiri e kolegët e tij e di që janë kaq, rreth 6%, ata kanë qenë gjithë rreth 5%, por tash e kanë një situatë më të qëndrueshme, kur ia shtuan edhe Aleancës, edhe konservatorëve, z. Klinaut, z Limanit, këto shifra nuk janë kështu reale”, kishte deklaruar Haradinaj.
Vetëvendosje, besimplotë e “mbi 50 përqindshit”
Mes këtyre rezultateve të ndryshme të sondazhit, Vetëvendosje mbetet e sigurt se do të sigurojë më shumë se 50% në zgjedhjet e ardhshme.
Këtë bindje e ka riafirmuar së fundi edhe deputeti i kësaj partie, Mefail Bajqinovci, i cili u shpreh i bindur se edhe në këto zgjedhje Vetëvendosje e siguron shumicën.
“Presim fitore absolute, mbi 50 për qind të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk po e them vetëm që jam pjesë e këtij subjektit, por po e thonë të gjitha sondazhet ndërkombëtare dhe vendore, e kemi parë edhe pulsin publik të UNDP-së i cili tregon për besueshmërinë e liderëve kosovarë. Në të gjitha raportet të cilat janë vendore VV del me 47 për qind pa mërgatën pres një fitore bindëse dhe më të madhe sesa në vitin 2021. Në të gjitha raportet qytetarët kanë treguar se kënaqëshmëria me Qeverinë është ngritur dyfishuar nëse e merr për bazë vitet e kaluara 2020 e te poshtë mendoj që po do t’i marrim dhe do t’i kemi mbi 50 për qind përsëri të elektoratit në zgjedhjet që do të mbahen në fund të këtij viti”, ka thënë Bajqinovci.
Heshtje nga Partia Demokratike
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë relativisht e heshtur për rezultatet e sondazheve, ndonëse kishte qenë tejet e zëshme për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka bërë me dije se kjo parti çdoherë është e gatshme për zgjedhje nacionale.
Ai ka paralajmëruar se programin e tij qeverisës do ta publikoj se shpejti.




