Për të tretën javë rresht Trepça luan ndeshje evropiane në udhëtim. Dy javë më parë, kampionia e Kosovës në basketboll fitoi 91:70 ndaj Batumit në Gjeorgji. Një javë më parë, mitrovicasit dëshpëruan duke pësuar 96:59 nga Trieri në Gjermani.
Dhe të mërkurën prej orës 18:00, Trepça luan në Greqi ndaj Promitheas Patras. Ndeshja i takon xhiros së gjashtë të fazës grupore në FIBA Europe Cup. Është ndeshje shumë e rëndësishme e Grupit A.
Trieri gjerman është i pakonkurrencë në grup. Ka fituar pesë ndeshjet e deritashme dhe ka 10 pikë. Nga tetë pikë i kanë Patrasi, Spliti dhe Trepça. Opava çeke i ka gjashtë pikë e Batumi gjeorgjian pesë. Patrasi, Spliti e Trepça janë në garë për vendin e dytë që siguron avancimin tutje. Dhe ndeshja në Greqi ka rëndësi të madhe për të dy skuadrat.
Skuadra greke kishte fituar 91:77 në Mitrovicë më 7 tetor. Por ndërkohë Trepça ka bërë përforcime dhe ka fituar në udhëtim ndaj Splitit dhe Batumit dhe në shtëpi ndaj Opavas. Humbja në Gjermani ndali serinë e “xehetarëve”, por ata synojnë të kthehen te suksesi në ndeshjen e vështirë në Greqi.
Faza grupore në FIBA Europe Cup zhvillohet në dhjetë xhiro.
Të mërkurën prej orës 18:00 luan edhe Bashkimi. Prizrenasit luajnë në Letoni ndaj skuadrës Valmiera. Ndaj kësaj skuadre Bashkimi kishte fituar në Prizren në xhiron e parë me rezultat 79:77. Është fitorja e vetme e prizrenasve, që kanë edhe tri humbje në Grupin F. Bashkimi ka mbetur më prapa, por megjithatë llogaritet në garë. E ka një ndeshje më pak të luajtur, atë në udhëtim ndaj Manchesterit.
Valmiera ka dy fitore e tri humbje. Korfezi turk është lider në Grupin F me nëntë pikë. Kalevi i Estonisë i ka tetë pikë, sa edhe Elan Chaloni i Francës. Pasojnë Valmiera me shtatë pikë, si dhe Bashkimi e Manchesteri me nga pesë pikë.
Bashkimi është në krizë rezultatesh edhe në Superligë. Në fundjavë pësoi nga Ylli në Suharekë dhe e humbi vendin e parë në tabelë.
Autor: Arsim Maxhera – Koha.net




