Kosova do të luajë nesër ndaj Irlandës në kuadër të grupit të tretë të Ligës B të Kombeve.
Ndeshja do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kurse trajneri Franco Foda në konferencë për media tha se lojtarët e rinj janë integruar mirë në ekip dhe se skuadra është gati për t’u përballur ndaj Irlandës.
“Lojtarët e rinj janë integruar shpejt në lojën e ekipit, ka qenë një punë shumë e lehtë sepse kemi lojtarë që i kanë pritur shumë mirë të rinjtë… Jemi të përgatitur të luajmë kundër Irlandës”, tha fillimisht Foda.
Ai tha se kapiteni i ri i Kombëtares së Kosovës do të jetë, Vedat Muriqi kurse zëvendësi i tij do jetë, Mërgim Vojvoda.
“Kapiteni i Kombëtares do të jetë Muriqi, zëvendësi i tij do të jetë Vojvoda. Ne e dimë që na presin ndeshje të vështira, në këtë grup është Austria favorit, por ne kemi qëllime të larta në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B, por nëse paraqitemi mirë të vazhdojmë edhe në Ligën A”, shtoi ai.
Tutje, Foda shtoi se qëllimi i Kosovës do të jetë gjithmonë fitorja në të gjitha ndeshjet që do t’i ketë përpara.
“Sigurisht që i njohim cilësitë e Irlandës dhe e dimë shumë mirë se si ka luajtur në ndeshjet e fundit, i kemi analizuar me shumë vëmendje të gjitha ndeshjet, por ne e kemi një avantazh sepse jemi në shtëpi dhe qëllimi ynë parësor sigurisht që është të fitojmë të gjitha ndeshjet që i kemi përpara”, vazhdoi Foda.



