Në varrezat e fshatit Sekiraqë të Podujevës, nga familjarët, miqtë, bashkëluftëtarët, oficerët dhe nënoficerët e FSK-së, dje i është dhënë lamtumira e fundit nënoficerit të FSK-së, kapterit Baki Ejupit, pjesëtar i Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Batalionin e Tretë në Mitrovicë, i cili pas një ataku kardiak, ndërroi jetë në krye të detyrës.
Në kazermën “Minatori” në të cilën ka shërbyer me përkushtim Bakiu, nga ora 1100-1200, para arkivolit me trupin e tij, u mbajtën homazhet.
Kortezhi ka vazhduar për në fshatin e lindjes në Sekiraqë të Podujevës ku dhe është varrosur me nderime ushtarake, nga një numër i madh i qytetarëve nga e gjithë Kosova, miq e familjarë.
Për herë të fundit, nga i ndjeri është ndarë komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, i cili në fjalën e tij tha: “Janë të rrallë njerëzit të cilët tërë jetën ja kushtuan atdheut. I tillë ishte kapteri Baki Ejupi, i cili që në fillimet e hershme ju bashkua luftës së UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, duke luftuar me trimëri dhe pa u ndalur deri në çlirimin e plotë të Kosovës, për të vazhduar në TMK dhe pastaj në FSK, si pjesëtar i Batalionit të Tretë të Reagimit të Shpejtë në Mitrovicë”.
Gjenerali Hadërgjonaj përkujtoi edhe shumë aktivitete dhe iniciativa që kapter Ejupi kishte ndërmarrë në njësinë e tij, shumë trajnime si brenda dhe jashtë vendit, shumë lëvdata e mirënjohje për punën dhe angazhimin e tij.
“Do të ndihemi krenarë që e patëm në mesin tonë, që bashkërisht ndërtuam themelet e sigurta të ushtrisë së Kosovës, për të cilën Bakiu punoi pareshtur gjithë jetën”, tha në fund gjenerali Hadërgjonaj. Fjalë lamtumire për kapter Bakiun mbajtën edhe shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi Komunal i Podujevës, përfaqësuesi i fshatit Sekiraqë si dhe vajza e tij, Lirona. Nga ta u vlerësua lart puna, angazhimi dhe sakrifica e Bakiut qysh në kohën e luftës dhe tani në kohën e paqes në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve të tjerë.
Gjithashtu nga folësit u vlerësua lart shpirti i tij human, gjithmonë në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe në shërbim të gjithë shoqërisë në çdo fushë të jetës. Në fund të ceremonisë, mbi varrin e kapter Baki Ejupit u vendosën kurora të shumta lulesh nga oficerët dhe nënoficerët e FSK-së, shokët, miqtë, bashkëluftëtarët dhe qytetarët e ardhur nga të gjitha viset shqiptare.