Pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Valdrin Zyhrani, i cili u lëndua gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës në Gjakovë, do t’i nënshtrohet nesër paradite një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Xhavit Gashi, i cili bëri të ditur se ushtari ka pësuar thyerje në një unazë të shtyllës kurrizore, por aktualisht gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Valdrin Zyhrani, me prejardhje nga Skenderaj dhe i angazhuar në kazermën e FSK-së në Gjilan, pësoi lëndime të rënda gjatë ushtrimeve në terren, ndërsa dyshohet se shkak i incidentit ishte sërish shpërthimi i municionit të prodhimit turk.
Menjëherë pas incidentit, ushtari u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku më pas u transferua në Klinikën e Ortopedisë.
Ky rast rikthen sërish në vëmendje shqetësimet serioze për sigurinë e pjesëtarëve të FSK-së dhe përdorimin e municionit turk gjatë ushtrimeve ushtarake. Më parë ishte raportuar edhe për një incident të ngjashëm, kur një municion 40-milimetërsh i prodhimit turk kishte shpërthyer brenda granatahedhësit automatik amerikan MK-19, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e një ushtari.


