Një rrëfim tronditës i një 21-vjeçareje ka alarmuar hetuesit policorë në Mitrovicë. E reja ka denoncuar se një person e kishte marrë me furgon, e kishte dërguar në disa vende dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale me të kundër vullnetit të saj, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë muajit nëntor, ndërsa identiteti i personit të dyshuar ende nuk është zbuluar.
E reja, e cila merr trajtim në Qendrën e Shëndetit Mendor në Mitrovicë, ka deklaruar para hetuesve se një person e kishte pritur pas përfundimit të një aktiviteti në këtë institucion.
“Hajde me mu në kombi”, i kishte thënë ai, sipas rrëfimit të saj.
Ajo ka treguar se më pas kishin shkuar në disa vende, por nuk arrinte të kujtonte se ku saktësisht.
Para hetuesve, 21-vjeçarja ka denoncuar se personi në fjalë kishte kryer marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj.
Për shkak të gjendjes së saj, intervistimi është zhvilluar në prani të psikologes dhe një zyrtari të Qendrës për Punë Sociale.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Rrëmbim” dhe i është kaluar Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë.
I dyshuari ende nuk është identifikuar./Sinjali




