Nga Parisi, kryeministri Albin Kurti e dha ngushtimin e diferencës mes pagave publike provë të pakontestueshme se pabarazia në Kosovë është ulur pesë herë. Llogarinë e bëri me vetëm dy rroga: më të lartën dhe më të ulëtën në sektorin publik. Punëtorët privatë, të papunët, pronat e kursimet nuk hynë fare në të. Ndërkohë, sipas ASK-së, më 2024 gati gjysma e familjeve, 48%, nuk përballonin dot një shpenzim të papritur prej 200 eurosh.
“Pabarazinë e kemi zvogëluar pesëfish”, deklaroi kryeministri në Forumin e Paqes në Paris.
Si provë, Kurti përmendi raportin mes pagës më të lartë dhe më të ulët në sektorin publik, që sipas tij kishte zbritur nga 20 me 1 në 4 me 1.
Por, krahasimi nuk mat shpërndarjen e të ardhurave mes familjeve. Ai lë jashtë punëtorët privatë, të papunët dhe pasurinë në prona e kursime.
Një tregues i barrës mbi familjet vjen nga shporta e foshnjës. Hulumtimi i kompanisë amerikane të teknologjisë financiare Remitly, e vendos koston e produkteve bazë për vitin e parë në 71,2% të pagës mesatare vjetore në Kosovë.
E shprehur në muaj, kjo bën 8,54 paga mesatare. Krahasimi bëhet me një pagë individuale, jo me të ardhurat e përgjithshme të familjes.
Remitly krahasoi 14 produkte në mbi 90 vende, me të dhëna pagash nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Metodologjia e publikuar i daton çmimet në qershor 2026.
Shporta përfshin pelena, qumësht formulë, veshje e pajisje. Sasitë bazohen në praktikat amerikane; shpenzimet reale ndryshojnë sipas nevojave dhe mënyrës së ushqyerjes.
Kjo nuk është anketë zyrtare e shpenzimeve familjare. Llogaritja përjashton lindjen, shërbimet mjekësore dhe çerdhet.
Përballë kësaj barre, ajo që Kurti u ofron familjeve është pak në euro. Më 2 nëntor njoftoi se shtesat do të rriten 25% nga janari 2027.
Fëmijët që sot marrin 30 euro do të marrin 37,50: 7,50 euro më shumë në muaj, ose 90 euro në vit.
Kjo bën rreth 25 cent më shumë në ditë për një fëmijë, në një vend ku sipas një Ankete mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës 2024 të ASK-së më 2024, pothuajse gjysma e familjeve nuk përballonin dot një shpenzim të papritur prej 200 eurosh
Të njëjtin vit, ASK-ja regjistroi se 42,2% e familjeve nuk përballonin një shujtë me mish, pulë apo peshk çdo të dytën ditë, ndërsa 21,6% nuk përballonin ngrohjen e përshtatshme.
Ka edhe matje që tregojnë përmirësime, por mungesa e të dhënave të fundit e vështirëson një pasqyrë të qartë. Seria e Bankës Botërore tregon rënie të indeksit Gini, që mat pabarazinë, nga 57,4 më 2020 në 38,3 më 2022.
Kjo është rënie prej rreth një të tretës. Por seria ndalet më 2022, ndaj nuk kap vitet që pasuan, kur inflacioni në Kosovë shënoi nga nivelet më të larta në dekadat e fundit.
Edhe varfëria e parashikuar prej 22% për 2026-n mbetet problematike. Ajo bazohet te pragu i Bankës Botërore prej 8,30 dollarësh në ditë, me fuqinë blerëse të 2021-shit.
Është parashikim, jo matje e re. Modeli e mban të pandryshuar shpërndarjen e vitit 2022; prandaj ulja e parashikuar e varfërisë nuk dëshmon ulje të pabarazisë.
Pikërisht te shpërndarja e mbështetjes, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i publikuar më 4 nëntor 2026, konstaton:
“Nuk pati përparim në pakësimin e zbrazëtirave dhe përjashtimeve tatimore apo në përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve publike përmes orientimit më të mirë të transfereve sociale”, thuhet në raport.




