Familjet me bagazh patriotik vazhdimisht ishin përndjekur nga regjimi i Millosheviqit. Njëra nga to është edhe familja e Kadri Veselit, e cila ishte bastisur dhe torturuar disa herë nga forcat e policisë serbe.
Më 3 gusht të vitit 1993, mbi 40 policë serbë ishin futur në shtëpinë e Fazli Veselit, babait të Kadri Veselit.
Siç raportonte atë kohë gazeta “Bujku”, policët serbë e kërkonin Kadri Veselin, por ai nuk ishte në shtëpi.
Gjatë bastisjes, ata shqyen edhe flamurin kombëtar dhe e rrahën Fazli Veselin. Ky i fundit, pasi ishte rrahur, u kishte thënë forcave serbe se kurrë nuk do t’ua harrojë e as nuk do t’ua falë. Pas bastisjes ishte arrestuar babai i Kadri Veselit dhe dy vëllezërit e tij, Ismeti dhe Veseli.
Raportimi i plotë i datës 13 gusht 1993:
Siç njofton korrespondenti ynë nga Mitrovica, dje në lagjen Bair të Mitrovicës, herët në mëngjes, policët serbë (rreth 40 sish) bastisën shtëpinë e Fazli Veselit. Ata, përveç që kontrolluan çdo skutë, morën me vete libra e fotografi, si dhe shqyen flamurin shqiptar që ishte vënë në kornizë. Pastaj morën me vete Fazliun (66), Ismetin (38) dhe Veselin (29 vjeç), të cilët i mbajtën në SPB deri vonë pasdite.




