Gabriella Hajdaraj ka shënuar një arritje të rëndësishme, duke u bërë pjesëtarja e parë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që përfundon me sukses kursin për komandantë të togave të Xhenios (RE Troop Commanders Course) të Ushtrisë Britanike.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada Britanike në Prishtinë, e cila ka përgëzuar Hajdarajn për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij trajnimi.
Sipas Ambasadës, ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së dhe krijon mundësi që edhe ushtarakë të tjerë nga Kosova të përfitojnë nga trajnimet e specializuara në Mbretërinë e Bashkuar.
Ambasada Britanike ka theksuar se arritja e Gabriella Hajdarajt dëshmon fuqinë e partneritetit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Po ashtu, është ritheksuar përkushtimi i përbashkët për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit afatgjatë në fushën e mbrojtjes.



