Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me anë të një konference për media i ka adresuar ankesat e partisë së tij kundrejt KQZ-së.
Sipas tij, ky komision e shkatërroi integritetin e vete dhe e vuri ne pikëpyetje integritetin e gjithë procesit zgjedhor.
“KQZ-ja e pranoi qe kishe probleme në formularë dhe fajin ia la sekretariatit te vet. Kërkesa jonë ishte në atë kohe që për shkak te gabimit te KQZ-së, të bëhet rinumërimi i plotë i të gjitha vendvotimeve. Ky komision në vend që të pranojë gabimin në tërësi, e pranoi gabimin pjesërisht. KQZ më tepër ishte e shqetësuar për integritetin e saj se sa të procesit zgjedhor, kështu e shkatërroi integritetin e vete dhe e vuri në pikëpyetje integritetin e gjithë procesit zgjedhor”.
“Duke ikur nga përgjegjësia, KQZ-ja duke mos marrë vendime për paketat e kontrabanduara nga Serbia dhe votat nga diaspora, në vazhdimësi ka shkelur ligjin zgjedhor dhe në anën tjetër nga shkelja e vazhdueshme e ligjit nga KQZ ka ardhur si pasjojë pastaj edhe ligji i Gjykatës Supreme i cili në tërësi e ndryshoi këtë ligj zgjedhor. Pra ka krijuar pasoja që vendimi i Gjykatës Supreme ta ndryshojë ligjin zgjedhor”.
“Procesin e ka përcjellë keqadministrimi, papërgjegjësia dhe standardet e dyfishta. Asnjë herë në Kosovë nuk ka pasur më keqadministrim zgjedhor si tani. KQZ i ka ikur detyrave që i takojnë”.
“Ne kemi bërë ankesë për paketat kontrabande të ardhura nga Serbia në PZAP, dhe përgjigja e tyre ishte që kërkesa jonë është e palejuar për faktin se është e parakohshme sepse sipas tyre KQZ-ja nuk ka marrë vendim ende dhe duhej pritur komunikimi i rezultateve zgjedhore nga KQZ dhe pastaj te ankohemi. Pas tre ditësh ne u ankuam sërish dhe na thanë se nuk mund të pranohet se është e pas-afatshme”.
“Është krijuar një pasiguri juridike. Tani nuk e dimë se çka është votë e çka jo, çka është e pranueshme e çka jo. Na ka sjellë në një situatë kaotike ku ka rrënuar procesin dhe integritetin zgjedhor”, ka thënë Limaj.