Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me shtatë vjet burgim dhe 500 euro gjobë një person me inicialet A.M., i shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri akuzohet se më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë, në bashkëpunim me dy të mitur, ka grabitur çantën e një personi me inicialet E.B.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i pandehuri fillimisht kishte lënë takim me viktimën dhe, pasi ishin takuar në vendin e caktuar, i ishte afruar duke e kapur nga qafa çantën që mbante me vete, ndërsa në dorë kishte një thikë.
Gjatë përleshjes, A.M. dyshohet se e kishte goditur viktimën disa herë në krahun e majtë me dorezën e thikës, më pas ia kishte prerë rripin e çantës dhe ia kishte marrë atë.
Pasi kishte kontrolluar çantën, nga portofoli i viktimës kishte marrë 115 euro.
Më pas, së bashku me dy të miturit, e kishte goditur sërish viktimën me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Sulltan Dobraj, e shpalli fajtor të pandehurin dhe i shqiptoi dënimin prej shtatë vjetësh burgim, si dhe 500 euro gjobë./koha.net




