spot_img
spot_img

42 kallashnikovë dhe 41 karikatorë: Dogana zbulon arsenal armësh në një veturë me targa të huaja

Dogana e Kosovës ka zbuluar 43 armë të gjata gjatë kontrollit me skaner të një automjeti të tipit VW Caddy, me targa të huaja.

Sipas njoftimit të Doganës, të publikuar të mërkurën, më 11 nëntor, në automjet janë gjetur 42 pushkë automatike AK-47 (Kallashnikov), një pushkë e tipit Walther, e kalibrit 12 mm, si dhe 41 karikatorë për kallashnikovë.

“Zbulimi është rezultat i vigjilencës, përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit doganor, si dhe përdorimit efikas të pajisjeve moderne të kontrollit dhe detektimit me të cilat disponon Dogana e Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Dogana ka bërë të ditur se pas identifikimit të armëve, rasti është trajtuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

“Pas identifikimit të ngarkesës, rasti është trajtuar në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente të drejtësisë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.”

Institucioni ka falënderuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën amerikane në Kosovë për mbështetjen në fuqizimin e kapaciteteve teknologjike dhe operative.

Sipas Doganës, pajisjet skanuese të siguruara falë kësaj mbështetjeje kanë luajtur rol të rëndësishëm në zbulimin e armëve.

Në njoftim nuk është specifikuar vendi ku është kontrolluar automjeti dhe as nëse ka persona të arrestuar lidhur me rastin.

TË FUNDIT

TË FUNDIT