16.7 C
Mitrovice
E premte, 17 Prill, 2026

Kosova dhe Shqipëria synojnë të bashkëprodhojnë pajisje ushtarake

Kosova dhe Shqipëria po diskutojnë që të thellojnë bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, përfshirë bashkëprodhimin dhe blerjet e përbashkëta, thanë ministrat e Mbrojtjes të të dyja vendeve.

Pas takimit në Prishtinë të ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë, Ermal Nufi, me homologun kosovar, Ejup Maqedonci, udhëheqësit e fushës së mbrojtjes e vlerësuan me rëndësi të madhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.

Maqedonci u pyet të specifikonte se çfarë nënkupton ky bashkëpunim. Ai tha se dy shtetet veçse kanë bërë hapa në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

“Ne kemi bërë një kontratë për një fabrikë për prodhimin e municioneve”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjes së arritur në dhjetor të vitit 2024 me prodhuesin shtetëror turk, MKE, raporton REL.

Qeveria e Kosovës ka thënë më herët se fabrika do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, ndërsa prodhimi i parë pritet të dalë në fund të vitit 2026.

Maqedonci tha se Kosova është në koordinim edhe me partnerët e tjerë për çështjen e bashkëprodhimit.

“Po flasim për bashkëpunimin me Shqipërinë në fushën e industrisë, po flasim në dy drejtime. Është bashkëprodhimi, pra po shikojmë mundësitë se në cilat fusha mund të bashkëprodhojmë dhe kjo do të bëhet në periudhën në vazhdim kur të formojmë grupet dhe ekipet për identifikimin se çfarë mund të bashkëprodhojmë. Por, edhe në bashkëprokurim të sistemeve që na bëjnë të ndërveprueshëm. E kemi edhe në deklaratën me Shqipërinë dhe Kroacinë si ndër pikat kyç bashkëprodhimin, por edhe prokurimet e përbashkëta si tri vende që të na mundësojë të jemi të ndërveprueshëm dhe pajisje cilësore”, tha Maqedonci.

Në anën tjetër, ministri Nufi tha se diskutimet për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes janë thelbësore.

“Bashkëpunimi në këtë fushë është thelbësor për kapacitetet tona dhe garantimin e sigurisë të të dyja vendeve. Besoj se ky diskutim do të vijojë edhe më tej me të gjitha impiantet e prodhimit që po ngrihen në Kosovë dhe Shqipëri, si simbol jo vetëm të zhvillimit teknologjik dhe industrial, por edhe bashkëpunimit vëllazëror”, tha ai.

Teksa Kosova po synon të prodhojë municione, Shqipëria, në fillim të prillit, vendosi bëri hapat e parë drejt prodhimit të dronëve luftarakë, si dhe për ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile, duke autorizuar arritjen e marrëveshjeve me kompani të mbrojtjes.

Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, parashihet edhe në deklaratën që Prishtina, Tirana dhe Zagrebi nënshkruan vitin e kaluar.

Serbia e ka parë këtë bashkëpunim si aleancë ushtarake kundër saj dhe serbëve, por ky pretendim vazhdimisht është mohuar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia.

Nufi po ashtu u pyet nëse ka ngritur shqetësime në NATO për armatosjen e Serbisë me armë kineze. Por, ai tha se sa i përket kësaj çështjeje, “Republika e Serbisë i vendos vet çështjen e armatimit apo si i konsideron çështjet e sigurisë së saj, si i ka doktrinat ushtarake në raport me sigurinë”.

Dy ditë më parë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do të blejë armatime të reja pasi gjoja po përballet me trysni nga shtetet fqinje.

“Gjendja e sigurisë është disi më ndërlikuar sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, tha Vuçiq të mërkurën herët.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti serb e ka bërë këtë pretendim, por ai asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi për ta mbështetur atë. /REL

TË FUNDIT

TË FUNDIT