Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për regjistrimin e një partie të re politike në Kosovë, “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale” (PQMS).
Sipas njoftimit zyrtar, iniciativa qytetare me këtë emër, e udhëhequr nga Sali Salihu, kishte dorëzuar aplikacionin për regjistrim më 17 mars 2026, duke i bashkangjitur të gjitha dokumentet e kërkuara sipas rregullores përkatëse për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike.
Pas shqyrtimit fillestar, Zyra për Regjistrim të Partive Politike ka verifikuar dokumentacionin, përfshirë statutin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar dhe nënshkrimet e përkrahësve. Iniciativa është udhëzuar të bëjë disa plotësime dhe ndryshime, të cilat i ka dorëzuar brenda afatit të përcaktuar.
Më pas, kërkesa për regjistrim është vënë në shqyrtim publik nga 1 deri më 7 prill 2026, periudhë gjatë së cilës nuk është paraqitur asnjë ankesë.
Pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore, KQZ ka vendosur ta regjistrojë këtë subjekt politik, i cili do të përfshihet në regjistrin e partive politike në Kosovë si partia e 53-të me radhë.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ ka marrë vendim edhe për emërimin e komisionit të pranimit për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit të këtij institucioni.



