spot_img
spot_img

Ish-bokseri britanik: Kristian Prenga do ta mposhtë Anthony Joshuan

Boksieri shqiptar Kristian Prenga është mbështetur për të shkaktuar një nga befasitë më të mëdha në boks, duke mposhtur Anthony Joshuan, ashtu siç bëri Andy Ruiz në vitin 2019. Kështu ka deklaruar partneri i tij në stërvitje, pra ish-boksieri Brandon Moore, para duelit që do të zhvillohet të shtunën në Arabinë Saudite.

Humbja e parë si profesionist për Joshuan erdhi pikërisht ndaj Ruizit në vitin 2019, në një nga surprizat më të mëdha në historinë e peshave të rënda, kur britaniku humbi titujt IBF, WBA dhe WBO në Madison Square Garden.

Edhe pse Joshua konsiderohet favorit absolut ndaj Prengës (20 fitore, 1 humbje, 20 nokaut), në një duel që shërben si përgatitje për përballjen e shumëpritur me Tyson Furyn në dimër, Moore beson se shqiptari është në gjendje të shkaktojë një tjetër tronditje.

“Prenga po duket vërtet, vërtet shumë mirë në sparing. Mendoj se do të jetë një luftë shumë argëtuese”, tha Moore për Sky Sports.

“Mendoj se ai ka një shans shumë të mirë për ta mposhtur Joshuan. Besoj se është më i madh fizikisht se Joshua. Joshua ka një trup shumë muskuloz, por Prenga është njeri më i madh”.

“Do të jetë një meç i vështirë, por besoj se mund ta godasë Joshuan në të njëjtën mënyrë siç bëri Andy Ruiz”.

“Ky është meçi i parë i AJ pas rikthimit. Ai ka kaluar shumë gjëra në jetën e tij. Kam vetëm respekt për të, por kur rikthehesh në ring pas një kohe të gjatë pa luftuar, mungesa e ritmit ndihet”.

“Kjo nuk është një ndeshje e zakonshme – të gjithë do ta shikojnë”.

Moore, i cili shpreson edhe vetë të sigurojë një duel të madh ndaj një boksieri britanik të peshave të rënda, theksoi rëndësinë që kjo përballje ka për Prengën.

“I thashë Prengës se kjo është mundësia e jetës së tij. Është një mundësi që unë do të dëshiroja ta kisha”.

“Joshua është një boksier i madh dhe ka arritur gjëra të jashtëzakonshme në këtë sport”.

“Por Prenga ka mundësinë të futet në listën e njerëzve që kanë mposhtur një boksier që në të ardhmen do të jetë në Hall of Fame”.

“Gjithçka duhet të shkojë në mënyrë perfekte. Ai duhet ta bëjë çdo gjë siç duhet”.

TË FUNDIT

TË FUNDIT