Pas deklaratës së ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte përfunduar spastrimin etnik në Kosovë”, deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ta mbajë premtimin për inicimin e padisë ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë.
Bajrami e ka cilësuar deklaratën e zyrtares serbe si “tronditëse dhe të papranueshme”.
“Kur një zyrtare e lartë e shtetit shpreh keqardhje që një nga krimet më të rënda në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore nuk u çua deri në fund, ajo nuk po jep thjesht një mendim, por ajo po përpiqet të legjitimojë një politikë kriminale”, ka shkruar Bajrami.
“Premtimi për inicimin e padisë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin e kryer në Kosovë duhet të realizohet pa vonesa. Për këtë proces tashmë jemi vonuar”, ka thënë Bajrami.



