12.7 C
Mitrovice
E enjte, 16 Prill, 2026

Gjenden në Mitrovicë eshtrat e 9 vjeçarit të rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës, rivarroset të shtunën

Eshtrat e 9-vjeçarit Sinan Dauti, i cili u rrëmbye në Mitrovicë më 12 prill të vitit 1999 nga forcat serbe, janë gjetur së fundmi në varrezat e Suhodollit.

Ai do të rivarroset këtë të shtunë nga familja e tij.

Kështu bëri me dije kryeministri Albin Kurti, i cili, bashkë me ministrin Andin Hoti, ishin për ngushëllime në familjen Dauti në Prekaz të Epërm të Skenderajt.

“Sinani ishte vetëm 9 vjeç kur më 12 prill 1999 u mor nga forcat serbe për të mos u kthyer kurrë më. Për fatin e tij u kuptua vetëm pas 27 vitesh. E këtë të shtunë familja Dauti rivarros eshtrat e gjetura të djalit të tyre. Pasditen e sotme bashkë me ministrin, Andin Hoti, ishim për ngushëllime në familjen Dauti në Prekaz të Epërm të Skenderajt. Eshtrat e tij u gjetën së fundmi në varrezat e fshatit Suhodoll të Mitrovicës”, shkroi Kurti mes tjerash, raporton Klankosova.tv.

Kryeministri tha se dhimbja e kësaj familjeje nuk është vetëm e tyre, është plagë e hapur e gjithë popullit.

“Rivarrosja e eshtrave të Sinanit, është një akt i rëndë emocional, por edhe një akt i vonuar i dinjitetit njerëzor. Sepse çdo i rënë për liri meriton emër, vend dhe kujtim të përhershëm. Kurrë nuk duhet të harrojmë që në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve i ka rrënjët liria dhe themelet e shtetit”.

“Ne kemi për detyrë që të qëndrojmë pranë familjeve, jo vetëm në ditë përkujtimi, por në përpjekjen e vazhdueshme për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe për vendosjen e drejtësisë”.

“Pa drejtësi nuk ka paqe të plotë dhe pa të vërtetën nuk ka pajtim të qëndrueshëm”, shkroi kryeministri Albin Kurti.

TË FUNDIT

TË FUNDIT