Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka udhëtuar në Francë për vizitë zyrtare.
Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” zyra për informim në LVV.
“Udhëtimi është zyrtar. Ende nuk e kemi agjendën e saktë. Pas çdo aktiviteti besoj do te publikohen ato”, thuhet në një përgjigje për “Gazeta Blic”
Ndërkohë “Gazeta Blic” merr vesh se Kurit, pritet të zhvillojë takim me njerëzit e afërt të presidentit francez Emmanuel Macron, ku po ashtu pritet që të diskutohet lidhur me çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, Macron ka mbështetur idenë e heqjes së taksës prej 100 për qind, vendim ky që do t’i hapte rrugë dialogut me Serbinë, i cili ka ngecur që nga koha e vendosjes së tarifës.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, partia e Kurtit del të jetë e para për nga numri i votave dhe ky takim i paraprinë zgjedhjes së tij Kryeministër, nëse arrin marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në e Isa Mustafës.
/Gazeta Blic/