Nënkryetari i PDK-së, dhe kandidati për deputet nga ky subjekt politik, Hajredin Kuçi, është rikthyer për të folur për zhvillimet politike pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Kuçi në emisionin “Personale”, ka thënë se ka menduar tërheqjen nga politika por për shkak të disa vendimeve të mëdha që e presin Kosovën dhe sipas tij pas kërkesës së kryetarit Veseli për të ruajtur një kohezion në PDK ka vendosur të kandidojë përsëri për deputet.
Ai ka thënë se politikën nuk e ka për “jetë a vdekje” siç mund ta kenë disa të tjerë.
Nënkryetari i PDK-së ende nuk e di nëse do të jetë deputet në Kuvend apo jo, por ai nuk shpreh shumë entuziazëm në krahasim me të kaluarën.
Thotë se dikur politika ka qenë për ideal ndërsa sot ajo është shndërruar në një profesion.
Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve, Kuçi ka thënë se do të jenë opozitë e mirë dhe nëse asgjë do të jenë shembull për opozitën e ardhshme si duhet të sillen kur nuk janë në pushtet.
Ai thotë se PDK mban përgjegjësi për dështimet e Kosovës në të kaluarën por edhe meritat për sukseset i takojnë kësaj partie.
I pyetur për arsyet pse PDK ka humbur zgjedhjet e 6 tetorit, Kuçi është përgjigjur: “Kushdo që i fiton katër herë rresht zgjedhjet do të ketë të vështirë t’i fitojë herën e pestë. Unë jam shumë i bindur se asnjë formacion politik në Kosovë nuk do të mund t’i fitojë zgjedhjet katër herë”, tha ndër të tjera Hajredin Kuçi.