Kur të gjithë i kanë sytë nga një pushtim i mundshëm i Rusisë ndaj Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin po dërgon të dërguarin e tij të lartë për Siguri në Ballkan, derisa Moska është përpjekur të ruajë ndikimin përmes aleatit të saj, Serbisë.
Mediat pro-qeveritare të Serbisë, kanë thënë të hënën se Nikolai Patrushevi, sekretar i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, do të mbërrijë në Beograd ditëve në vijim për bisedime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Siç raporton AP, bisedimet thuhet se do të kenë fokus në pretendimet e Moskës se “mercenarë” nga Kosova e Shqipëria, po ashtu Bosnja, po dërgohen për të luftuar në anën e Ukrainës, kundër rebelëve pro-rusë.
Megjithatë, zyrtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja kanë hedhur poshtë këto pretendime, të cilat janë bërë nga ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë javës që lamë pas.
“Ka informacione se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe po dërgohen në Donbass, ndër të tjera, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë. Ne po e rishikojmë këtë informacion tani”, tha Lavrovi.
Presidenti serb, Vuçiq, në anën tjetër thirri të hënën një takim me zyrtarët e lartë të sigurisë së Serbisë, të cilët raportohet se diskutuan gjithashtu për raportet e “mercenarëve” nga Ballkani që po shkojnë drejt Ukrainës.
Dhjetra ushtarë serbë kanë luftuar në të kaluarën në Ukrainën lindore, por në anën e rebelëve pro-rusë.
Serbia, edhe zyrtarisht ka deklaruar neutralitet në përplasjen Rusi-Ukrainë, që kërcënon një luftë të madhe në Evropë. Megjithatë, media të kontrolluara nga pushteti serb po mbështesin drejtpërdrejt Moskën.
Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Kremlinin për ndikim “të keq” në Ballkan, që ka ndihmuar në nxitjen e një vale nacionalizmi që kërcënon të zhbëjë paqen në Bosnjë e Hercegovinë, pas luftës së saj të viteve 1992-95, të rindezë konfliktin e armatosur mbi Kosovën që u nda nga Serbia më 2008 dhe të nxisë problemet politike në vendet anëtare të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Moska i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, megjithëse pohon se Bosnja, Serbia dhe Kosova nuk duhet të anëtarësohen kurrë në NATO.