Federata Sindikale e Shëndetësisë, idenë e Albin Kurtit për të zgjedhur mes sektorit publik dhe atij privat, po e konsideron si të ngutshme dhe të pamenduar mirë, transmeton Gazeta Metro.
Kryetari i saj, Blerim Syla, ka thënë se qeveria e re fillimisht duhet të bëjë një analizë për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i shëndetësisë, raporton KTV.
Sipas tij, nëse plani i Kurtit zbatohet, duhet të rriten edhe pagat për mjekët specialistë.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në anën tjetër, thotë se një vendim i tillë do të duhej të vlente për të gjitha profesionet dhe sektorët.
Sejdiu ka deklaruar se janë pro idesë që të bëhet një monitorim i mirëfilltë i punës së mjekëve në sektorin publik, por është shprehur skeptik nëse ideja e Kurtit është e zbatueshme.
Gjykata Kushtetuese në vitin 2013, shfuqizoi nenet e Ligjit për Shëndetësi, ku ndalohej ushtrimi i profesionit të mjekut në sektorin privat dhe publik./gazetametro.net