spot_img
spot_img

700 mijë euro për renovimin e urës mbi lumin Sitnica në Mitrovicë

Në Mitrovicë është vendosur gurthemeli për renovimin e thellë të urës mbi lumin Sitnica, projekt ky që ka vlerën e përgjithshme prej 700 mijë eurosh dhe financohet bashkërisht nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se investimet në ura nuk janë përqendruar vetëm mbi lumin Ibër, por edhe mbi lumin Sitnica.

“Sot vendosëm gurthemelin e këtij projekti të rëndësishëm, me vlerë të gjithëmbarshme prej 700 mijë eurosh, ku kanë kontribuar së bashku Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komuna e Mitrovicës. Ne ndërtojmë ura anembanë Kosovës, por natyrisht më shumë, më shpejt e më shpesh aty ku kanë munguar në të kaluarën, e kjo është pikërisht Mitrovica”, tha Kurti.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se ura mbi Sitnicë është një nga pamjet e para që i shohin qytetarët dhe vizitorët gjatë hyrjes në qytet.

“Sot, edhe në inaugurimin ose fillimin e punimeve të një projekti shumë të rëndësishëm, pamja e parë që qytetarët e Mitrovicës, por edhe të gjithë mysafirët që vijnë në Mitrovicë, shumica dërmuese e tyre gjatë hyrjes kryesore e kanë urën mbi lumin Sitnica, e cila do të ketë një pamje të re, imazh të ri”, tha Ai.

Në anën tjetër, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e vlerësoi projektin si një nga investimet e përbashkëta që pritet të realizohen përmes bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

“Projekti filloi sot dhe përfundon diku në shkurt. Unë jam i bindur se kur vijmë me kryeministrin në përmbylljen e punëve këtu, do të fillojnë edhe punët e tjera të mira për qytetarët e Mitrovicës”, tha Krasniqi.

Gjatë vitit 2025, në Mitrovicë u ndërtuan dy ura të reja mbi lumin Ibër, ndërsa ura e tretë është ende në ndërtim. Me projektin e ri mbi Sitnicë, vazhdojnë investimet në infrastrukturën e urave në qytet./Gazeta10

TË FUNDIT

TË FUNDIT