Psikiatri Liron Pepshi ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen emocionale dhe shëndetësore të Jakup Krasniqit.
Ai ka vlerësuar se vazhdimi i qëndrimit të tij në burg mund të paraqesë rrezik për shëndetin.
Në profilin e tij në Facebook, Pepshit ka shkruar se duke pasur parasysh përvojën e mëparshme të Krasniqit në burgjet e ish-Jugosllavisë, moshën, gjendjen fizike dhe ngarkesën emocionale, ekziston rreziku i ritraumatizimit.
“Vazhdimi i mbajtjes së një personi në burg, kur gjendja e tij shëndetësore nuk e lejon një gjë të tillë, sipas nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mund të konsiderohet trajtim çnjerëzor. Nga ato që kam parë dhe lexuar për Jakup Krasniqin, jam i bindur se ai është duke kaluar nëpër një gjendje të rënduar emocionale. Ai ka kaluar mbi 10 vite në burgjet e ish-Jugosllavisë. Burgimi i tanishëm, nga aspekti psikiatrik, paraqet një rrezik të madh për ritraumatizim. Edhe për nga mosha e tij, gjendjen e përgjithshme fizike dhe emocionale (edhe gjatë procesit gjyqësor), si dhe ngarkesën shtesë psikologjike për shkak të sëmundjes së rëndë të bashkëshortes së tij, kam dyshime shumë serioze se ai është ende në gjendje ta përballojë burgimin”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Nga përvoja në psikiatrinë e burgjeve, nga ekspertizat forenzike, përfshirë edhe vlerësimin e aftësisë për të përballuar burgimin (Fitness for Detention) në Gjermani dhe Luksemburg, besoj që ka arsye të forta profesionale për të dyshuar në aftësinë e tij për të përballuar burgimin e mëtejshëm, që paraqet rrezik për shëndetin e tij. Ky rrezik nuk mundet me u ndal me ndërrimin e ambientit brenda burgut, me medikamente ose psikoterapi, as me qëndrim në ndonjë klinikë psikiatrike. Ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit duhet urgjentisht ta trajtonte këtë çështje, duke kërkuar një ekspertizë të pavarur psikiatrike, pavarësisht nga procesi i apelimit. Respektimi i të drejtave të njeriut duhet të jetë pjesë e pandashme e drejtësisë dhe e vlerave evropiane”, ka shkruar ai.



