Vizita e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit ka qenë e nevojshme për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij. Kështu deklaron djali i tij, Altin Krasniqi, i cili ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e treguar ndaj familjes gjatë kësaj periudhe.
Ai për KosovaPress-in thotë se vizita ishte e nevojshme, duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të nënës, ndërsa ka falënderuar të gjithë qytetarët që u kanë qëndruar pranë dhe i kanë mbështetur.
Krasniqi ka bërë të ditur gjithashtu se edhe babai i tij është mirë me shëndetin.
“Vizita ka qenë shumë e mirë, ka pas nevojë, ka qenë shkaku i gjendjes së nënës që i falënderoj gjithë që na kanë mbështetur…gjithë qytetarët…(Edhe babai ishte) Mirë me shëndetin”, thotë Krasniqi .
Jakup Krasniqi qëndroi katër ditë në Kosovë për arsye humanitare, përpara se të kthehej sërish në Hagë. Dhomat e Specializuara të Kosovës lejuan vizitën për “arsye të forta humanitare” pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdijes.
Gjatë katër ditëve, Krasniqi u dërgua çdo ditë për disa orë në shtëpinë e tij në lagjen “Velania” të Prishtinës për të qëndruar pranë familjes dhe bashkëshortes, ndërsa netët i kalonte në selinë e EULEX-it në Fushë-Kosovë.
E gjithë vizita u zhvillua nën përcjellje të rreptë të forcave të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it.
Kjo ishte vizita e dytë e Jakup Krasniqit në Kosovë që nga arrestimi dhe transferimi në Hagë në nëntor të vitit 2020 (pas vizitës së tetorit 2024 për vdekjen e vëllait të tij), dhe vjen pas vendimit të 16 shtatorit 2026, ku ai u dënua me 25 vjet burgim në shkallën e parë.



