Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes po hyn në një fazë të re, me projekte konkrete që synojnë forcimin e kapaciteteve vendore dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë qëndrimit në Izmir të Turqisë, ka theksuar rëndësinë strategjike të partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke veçuar projektin për ndërtimin e fabrikës së municionit në Kosovë.
Sipas Sveçlës, ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të kapaciteteve vendore prodhuese, rritjes së pavarësisë industriale dhe fuqizimit të sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes.
Postimi i tij i plotë:
Me ftesë të Kryetarit të Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, për dy ditë u zhvilluan aktivitetet në kuadër të “Ditëve të Kosovës në Izmir”.
Në fjalën time në ceremoninë e hapjes, theksova rëndësinë e avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Türkiyes, duke i shndërruar lidhjet tona të fuqishme historike, kulturore dhe miqësore në bashkëpunim konkret institucional dhe ekonomik.
Republika e Türkiyes mbetet një partner dhe aleat i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Ky partneritet po merr gjithnjë e më shumë përmasa konkrete përmes projekteve në fusha strategjike, përfshirë industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë. Një nga dëshmitë më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi është projekti për ndërtimin e fabrikës së municionit në Kosovë, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve vendore, fuqizimin industrial dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.
Një lidhje e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Izmirit janë edhe bashkëkombësit tanë, të cilët në periudha të hershme kanë emigruar dhe janë vendosur në këtë qytet. Pavarësisht kohës dhe largësisë, ata vazhdojnë të ruajnë lidhjen me atdheun, dashurinë për Kosovën dhe përkatësinë e tyre kulturore e kombëtare. Kjo trashëgimi e gjallë njerëzore përbën një urë të çmuar miqësie ndërmjet dy vendeve dhe brezave.
Izmiri dhe komuniteti i tij i biznesit paraqesin potencial të rëndësishëm për zgjerimin e investimeve, krijimin e partneriteteve dhe intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, komunave, odave ekonomike dhe bizneseve është thelbësor për t’u dhënë një dimension të ri marrëdhënieve tona dhe për të realizuar projekte me interes të përbashkët.
Falënderoj Kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, për ftesën dhe mikpritjen, si dhe të gjithë organizatorët për kontributin e tyre në forcimin e mëtejmë të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Izmirit.



