spot_img
spot_img

Jashari: Gjashtë vjet në pushtet janë kohë e mjaftueshme që Vetëvendosje të rregullojë të paktën diçka

E ftuar në emisionin “Tempus” në T7, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se gjashtë vjet në pushtet kanë qenë kohë e mjaftueshme për të bërë përmirësime në sistemin shëndetësor.

“Për mua nuk është e mjaftueshme të arsyetohen duke thënë se çfarë kanë bërë qeveritë e tjera, sepse janë bërë gjashtë vjet që kur Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet dhe ka qenë kohë e mjaftueshme që të mund të rregullojnë të paktën diçka”, ka deklaruar Jashari.

Ajo ka thënë se pajtohet që buxheti për shëndetësi është rritur, por ka theksuar se duhet të krijohet një evidencë e saktë për numrin e pacientëve që detyrohen t’i blejnë vetë terapitë e tyre.

“Unë pajtohem që në aspektin e buxhetit është shumë mirë që është rritur buxheti për mjekësi, por duhet të formohet të paktën një evidencë. Sipas raportit të auditimit të brendshëm, përmendet se nuk ka evidencë të mjaftueshme se sa pacientë realisht janë duke i blerë terapitë e tyre vetë”, ka thënë ajo.

Jashari ka propozuar që kjo çështje të parashihet në buxhetin e vitit të ardhshëm, në mënyrë që të krijohet mundësia për të matur dhe krahasuar numrin e pacientëve që mbulojnë vetë shpenzimet për terapitë.

Sipas saj, synimi duhet të jetë që kjo përqindje të ulet gradualisht.

“Është mirë që kjo të parashihet në vitin e ardhshëm dhe të mund të bëjmë një krahasim, sepse gjithmonë qëllimi duhet të jetë që gradualisht të ulet kjo përqindje”, ka deklaruar Jashari.

Në fund, ajo ka theksuar se pasojat e kësaj gjendjeje rëndojnë kryesisht mbi familjet me gjendje të vështirë ekonomike.

“Sepse, në fund të fundit, nga kjo shifër prej 40 për qind po del se kush janë më të dëmtuarit: familjet e varfra”.

TË FUNDIT

TË FUNDIT