spot_img
spot_img

Nafta po kalon sërish përmes Hormuzit, trafiku është rikthyer në 70% të nivelit para luftës

Trafiku i naftës përmes ngushticës së Hormuzit është përmirësuar ndjeshëm dhe aktualisht ka arritur në 65 deri në 70 për qind të nivelit që ishte para fillimit të luftës me Iranin, bëri të ditur kompania analitike Vortexa.

Të dhënat përfshijnë naftën dhe produktet e saj, përfshirë gazin e lëngshëm të naftës (LPG) dhe derivatet si benzina.

Sa i përket vetëm naftës bruto dhe kondensateve të gazit, përmes ngushticës tani po kalon rreth 80 për qind e sasisë që transportohej para luftës.

Sipas Vortexa-s, gjatë javës së kaluar përmes Hormuzit kalonin mesatarisht rreth 11.2 milionë fuçi naftë në ditë.

Edhe të dhënat e kompanisë tjetër analitike, Kpler, tregojnë një rritje të ndjeshme të eksporteve të naftës nga Gjiri Persik. Prodhuesit kryesorë të Lindjes së Mesme gjatë shtatorit eksportuan rreth 12.8 milionë fuçi naftë bruto në ditë, niveli më i lartë që nga fillimi i luftës amerikano-izraelite me Iranin në fund të shkurtit, shkruan nyt.

Në shkurt, eksportet ishin rreth 18.8 milionë fuçi në ditë, ndërsa në shtator përmes ngushticës së Hormuzit kalonin rreth 7.4 milionë fuçi naftë bruto në ditë. Vetëm Arabia Saudite e rriti eksportin në rreth 5.4 milionë fuçi në ditë, nga 2.45 milionë në gusht.

Para luftës, përmes Hormuzit kalonin rreth 125 anije të mëdha tregtare në ditë, ndërsa nëpër këtë rrugë transportohej rreth 20 për qind e furnizimit ditor botëror me naftë bruto dhe gaz natyror të lëngshëm.

Trafiku përmes kësaj rruge të rëndësishme energjetike ra ndjeshëm pas fillimit të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt. Kërcënimet dhe sulmet iraniane pothuajse e ndalën trafikun e zakonshëm të cisternave, duke bërë që shtetet e Gjirit Persik të përdornin naftësjellës dhe rrugë të tjera alternative të eksportit.

Vortexa e lidh pjesërisht rikthimin e trafikut me zgjerimin e të ashtuquajturës flotë “shuttle”. Një numër i vogël cisternash, nën mbrojtjen e marinës amerikane, po kalojnë nëpër Hormuz, marrin naftë nga terminalet e Gjirit Persik dhe më pas e transferojnë atë në cisterna më të mëdha që presin jashtë ngushticës.

Megjithatë, eksportet nga rajoni mbeten rreth gjashtë milionë fuçi në ditë më të ulëta se para luftës, ndërsa rrugët alternative dhe mbrojtja ushtarake e anijeve janë dukshëm më të kushtueshme sesa transporti i zakonshëm detar.

TË FUNDIT

TË FUNDIT