Kancelari gjerman Friedrich Merz ka vizituar mbrëmjen e 22 shtatorit një restorant në Berlin, pronë e shqiptarit Fatos Xhafolli.
Xhafolli publikoi një fotografi me kancelarin dhe e cilësoi vizitën si një moment të veçantë për të dhe për stafin e restorantit, që ndodhet në Kurfürstendamm.
“Për mua personalisht ishte një gëzim dhe nder i madh që Kancelari Federal zgjodhi restorantin tonë”, shkroi ai, duke shtuar se vizitën e përjetoi edhe si “një vlerësim të madh për punën tonë”.
Në postimin e tij, Xhafolli foli për mirënjohjen ndaj Gjermanisë dhe pritjen që ajo u bëri shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90. “Gjermania na zgjati dorën në një nga periudhat më të vështira të jetës sonë. Këtë njerëzillëk dhe këtë solidaritet nuk do t’i harrojmë kurrë”, shkroi ai.
Për Xhafollin, takimi kishte edhe një domethënie personale: “Vizita e sotme e Kancelarit Gjerman Friedrich Merz për mua ishte shumë më tepër se një takim në një restorant. Ishte një moment respekti, afërsie dhe kujtese”.
Ai e përmbylli postimin me një urim për miqësinë mes Kosovës dhe Gjermanisë: “Faleminderit, Gjermani!”.




