Aleanca ka reaguar ndaj ftesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me partitë politike, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se nuk po kërkojnë zgjidhje për krizën institucionale.
Në përgjigjen drejtuar Haxhiut, Aleanca thotë se ajo nuk është presidente e zgjedhur dhe se nuk ka mandat për të luajtur rolin e unifikueses së spektrit politik.
“Ju dhe Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, thuhet në përgjigjen e Aleancës.
Sipas AAK-së, qëllimi i Haxhiut dhe Kurtit është që të zvarritet bllokada institucionale deri në një datë që u përshtatet për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi”, thuhet më tej.
Në fund, Aleanca i është referuar gjashtë pikave të saj, duke thënë se nëse vërtet kërkohen votat dhe kuorumi, ato janë tashmë të bëra publike.
“Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, përfundon përgjigjja.




