Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar zhvillimet e fundit politike.
Abdixhiku ka adresuar gjithashtu etiketimet ndaj partisë që udhëheq pasi disa aktivistë të PDK shkruan emrat e deputetëve të LDK-së në mesin e emrave të anëtarëve të Listës Serbe pasi LDK refuzoi të bëhej pjesë e votimit të Ligjit për Specialen, duke argumentuar se projektligji nuk ka efekt juridik dhe është lojë politike për përfitime politike.
“Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde. Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën. UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë. Kemi rrënjë të forta. Etiketimet nuk na e ndryshojnë bindjen. Kërcënimet nuk na e përcaktojnë qëndrimin. Na keni ngatërruar me mercenarët”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja i jep llogari vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa ka kritikuar zhvillimet e fundit politike, duke pretenduar se po të ishte dëgjuar vizioni i partisë së tij, Kosova sot do të kishte president, stabilitet dhe angazhim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës në botë.
“Ja ku mbetëm sot. Pa institucione, pa mundësi mbrojtjeje, pa kohezion minimal në vend. Çështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?”, ka shkruar ai.




