spot_img
spot_img

Tahiri: Kurti synon zgjedhje të reja më 27 dhjetor, po e shtyn konstituimin e Kuvendit për ta realizuar skenarin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se zvarritja e konstituimit të Kuvendit nuk lidhet me pamundësinë për arritjen e një marrëveshjeje politike, por, sipas tij, është pjesë e një skenari të Albin Kurtit për ta çuar vendin në zgjedhje të reja më 27 dhjetor 2026.

Tahiri ka thënë se Kurtit nuk i interesojnë afatet kushtetuese, por realizimi i një plani politik që, sipas tij, kërkon shtyrjen e konstituimit të Kuvendit edhe për rreth një muaj.

“Objektivi është i qartë: zgjedhjet e reja më 27 dhjetor 2026”, ka shkruar Tahiri.

Sipas deputetit të PDK-së, synimi është që Kuvendi të konstituohet mes 13 dhe 28 shtatorit, në mënyrë që afatet pasuese kushtetuese dhe procedurale të krijojnë mundësinë që 27 dhjetori të caktohet si datë e zgjedhjeve të reja.

Ai pretendon se konstituimi i menjëhershëm i Kuvendit do t’ia prishte këtë skenar Kurtit, pasi do të aktivizonte afatet kushtetuese dhe do t’ia ngushtonte hapësirën për manovrim politik.

Tahiri ka thënë se gjatë kësaj periudhe, sipas tij, do të ketë oferta të papranueshme për partitë parlamentare, letra zyrtare, mesazhe dhe deklarime për “gatishmëri për dialog”, të cilat do të përdoren për të krijuar përshtypjen e përpjekjeve për marrëveshje.

“Këto i duhen vetëm për narrativin politik të zgjedhjeve të ardhshme, sepse synimi nuk është marrëveshja. Synimi është mosmarrëveshja që ta jetësojë skenarin e tij”, ka deklaruar Tahiri.

Në fund, deputeti i PDK-së ka dhënë edhe një mesazh të fortë, duke e lidhur zhvillimin politik në vend me proceset në Hagë.

“As Albin Kurti dhe as Gjykata Speciale, nuk do të mund t’i jetësojnë skenarët e tyre!”, ka përfunduar Tahiri.

TË FUNDIT

TË FUNDIT