Dennis Buzukja ka pësuar humbje në UFC Beograd ndaj Bogdan Gradit, në një duel që përfundoi mes polemikave pas një vendimi të diskutueshëm të gjyqtarit.
Përballja ishte e luftuar nga fillimi deri në fund. Buzukja nisi më mirë në këmbë, duke goditur me saktësi kundërshtarin, ndërsa Gradi u përpoq vazhdimisht ta transferonte luftën në tokë, ku arriti disa rrëzime.
Në raundin e dytë ndodhi momenti që vendosi fatin e duelit. Gjyqtari ndërpreu përballjen, duke vlerësuar se Buzukja kishte bërë “tap-out”, pra kishte dorëzuar me goditje të dorës.
Luftëtari shqiptar reagoi menjëherë, duke kundërshtuar vendimin dhe duke insistuar se nuk ishte dorëzuar.
Pamjet e përsëritura ngritën dyshime mbi vendimin, pasi lëvizja e dorës së Buzukjas mund të ketë qenë përpjekje për të përmirësuar pozicionin dhe jo sinjal dorëzimi.
Pavarësisht polemikave, vendimi nuk u ndryshua dhe Bogdan Grad u shpall fitues me dorëzim teknik.




