Analisti Albert Krasniqi tha se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë po shpërfaq mjaftueshëm se çfarë sektori fitimprurës është politika.
Ai këtë deklaratë e bëri pas raportimit të fundit të pasurisë së zyrtarëve publikë.
Krasniqi tha se kjo pasqyrë tregon paga e shtetit është me shumë “bereqet”.
“Me një rrogë arrin të jetosh në luks, të blesh prona dhe të kursesh pa problem. Ndërkohë, me të njëjtën rrogë në sektorë të tjerë, njerëzit mezi e mbyllin muajin. Pastaj, sapo hyn në pushtet, rritet edhe dashuria familjare. Papritmas trashëgon dy-tri prona këtu, disa asete atje – edhe kur familjarët nuk janë fort të njohur për ndonjë aktivitet ekonomik”.
Me ironi, Krasniqi thotë se këto deklarime të pasurisë tregojnë se prindërit e zyrtarëve publikë paskan qenë koleksionues arti.
“Deklarimet na zbulojnë edhe një dimension kulturor të panjohur: prindërit tanë, në kushte të rënda jetese dhe të rritur nën okupim, paskan qenë koleksionistë të mëdhenj arti. Në mes të varfërisë, kanë arritur të lënë trashëgimi piktura me vlera milionëshe – për lakmi edhe nga baronët më të mëdhenj europianë!”.



