16.7 C
Mitrovice
E premte, 17 Prill, 2026

Nufi: S’ka ndryshim në planet e KFOR-it për Kosovën

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, për dërgimin e forcave ushtarake të Shqipërisë e Kosovës në Gaza si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, tha se janë në proces të vlerësimit për detajet e këtij misioni.

“Jemi në faza shumë të hershme, akoma duke shqyrtuar dhe vëzhguar territorin ku mund të vendosen trupat tonë. Besojmë që në të ardhmen do të mund të japim një përgjigje të saktë se sa trupa do të shkojnë, ku do të shkojnë, cilat do të jenë rregullat e angazhimit në territor. Shqipëria ka një eksperiencë shumë vjeçare me angazhimin e misioneve ndërkombëtare duke filluar nga Afganistani, Iraku, Bosnja e shumë vende të tjera, kemi trupat tonë në Letoni dhe shumë vende të tjera të botës. Besoj që me angazhimin e përbashkët me FSK-në do të mund të bëjmë një vlerësim të situatës në terren dhe të marrim vendimarrjen”, tha ai, në konferencën e përbashkët për media me homologun kosovar, Ejup Maqedonci.

Ai foli për vizitën e punës në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, duke thënë se Shqipëria ka ngritur shqetësimin për sigurinë e Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e angazhimit të partneritetit të Kosovës me forcat e KFOR-it.

“Shqipëria ka ngritur shqetësimin e sigurisë së Kosovës, duke theksuar se situata e sigurisë së Kosovës është e drejtpërdrejtë për Shqipërinë. Çdo shqetësim i Kosovës sjellë shqetësim për Shqipërinë. Në të dyja takimet u informuam që nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket angazhimit të KFOR-it në Kosovë”, tha ai.

Nufi tha se duhet kryer detyrat e shtëpisë së Kosovës në raport me aleancën euro-atlantike por se qëndrimet mbesin të njëjta.

“Bashkëpunimet mbesin të ngushta”, tha ai.

“Sa i përket armatimit të Serbisë, ajo i vendos çështjet e saj vet. Shqipëria si anëtare e NATO-s, por edhe Kosova për sa kohë ka misionin e KFOR-it këtu dhe avokimin që Qeveria e Kosovës e bën me sigurinë, të gjitha strategjitë e sigurisë i ka në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n”, tha ai. /rtk

TË FUNDIT

TË FUNDIT