Komisioni Evropian ka filluar transferimin e 61.8 milionë eurove në Kosovë si paradhënie në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje të Planit të Rritjes.
Kjo u bë pas ratifikimit në Kuvend të Marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, bëhet e ditur në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Paradhënia përfaqëson 7% të shumës totale prej 882.6 milionë eurosh në grante dhe hua me kushte të favorshme të disponueshme për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes deri në fund të vitit 2027. Këto mjete do të mbështesin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekteve kyçe të infrastrukturës në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke e afruar Kosovën me BE-në”, bëhet e ditur në njoftim.
Nga 61.8 milionë eurot, 28.74 milionë euro në formë huash janë transferuar sot në buxhetin e Kosovës, ndërsa pjesa e mbetur — 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë hua) — do të kanalizohet përmes WBIF-it, theksohet aty.
Në Agjendën e saj të Reformave — baza për ndarjen e fondeve të Planit të Rritjes së BE-së, Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, që mbulojnë fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.
Çdo hap reforme është i lidhur me një ndarje specifike financiare. Pagesat në kuadër të Planit të Rritjes do të bëhen gradualisht, ndërsa Kosova zbaton reformat e dakorduara. Nëse disa hapa reformash nuk përfundojnë brenda afateve të përcaktuara, fondet përkatëse nuk do të disbursohen.
Një afat i parë përfundimtar është përpara për 13 hapa reformash, me vlerë të përgjithshme prej 90.8 milionë eurosh, të cilat duhet të përmbushen deri më 30 qershor 2026. Për më tepër, fundi i këtij viti shënon afatin përfundimtar për edhe 27 hapa të tjerë reformash, me vlerë 165.9 milionë euro.
“Bashkimi Evropian qëndron pranë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Plani i Rritjes ofron një mundësi konkrete për të përshpejtuar reformat që lidhen me BE-në dhe për ta afruar ekonominë e Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së. Përmes këtij mbështetimi, BE synon të ndihmojë Kosovën të forcojë sundimin e ligjit, të avancojë tranzicionin e gjelbër dhe digjital, dhe të nxisë rritje të qëndrueshme ekonomike,” tha ushtruesja e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
“Kosova është e përkushtuar për zbatimin në kohë të Agjendës së Reformave dhe për shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron Plani i Rritjes. Edhe pse është humbur pak kohë, do të bëjmë çmos për të përshpejtuar reformat dhe për të përmbushur zotimet tona. Kjo është një detyrë sfiduese, por e arritshme”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Bashkimi Evropian është ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën dhe partneri më i besueshëm, me më shumë se 3.7 miliardë euro në grante të investuara në sektorë të ndryshëm që nga viti 1999, si dhe me 421 milionë euro shtesë në kuadër të IPA (Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit) aktualisht në dispozicion për Kosovën.
Përveç kësaj, përmes Planit të Rritjes, BE vazhdon të mbështesë përpjekjet reformuese të Kosovës dhe progresin e saj drejt integrimit evropian, thekson komunikata./Reporteri.net/




