8.1 C
Mitrovice
E hënë, 30 Mars, 2026

Specialisti i Reumatologjisë nga spitali i Mitrovicës, Dr. Fidan Berisha jep disa këshilla mbi sëmundjen e osteoporozës

KËSHILLA NGA MJEKU YNË PËR SËMUNDJEN E OSTEOPOROZËS

Dr. Fidan Sylë Berisha, Specialist i Reumatologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, shpjegon dhe këshillon për osteoporozën – e njohur si “sëmundja e heshtur”, pasi shpesh nuk shfaq simptoma deri në frakturën e parë.

Në mbarë botën, një në tre gra dhe një në pesë burra mbi moshën 50 vjeç pësojnë thyerje kockore si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Çka është sëmundja e osteoporozës?

Dr. Fidan Sylë Berisha- Osteoporoza është një sëmundje sistemike e skeletit që karakterizohet nga ulja e dendësisë minerale të kockave dhe dëmtimi i strukturës së tyre. Kockat bëhen më të dobëta, më të holla dhe më të brishta, duke rritur rrezikun për thyerje edhe gjatë aktiviteteve të përditshme. Para saj ekziston një fazë paralajmëruese e quajtur osteopeni, ku me masa të duhura mund të parandalohet përkeqësimi.

Si diagnostikohet kjo sëmundje?

Dr. Fidan Sylë Berisha-Standardi i artë për diagnostikim është DEXA Scan (densitometria kockore), një procedurë e shpejtë dhe pa dhimbje që mat dendësinë e kockave. Gjithashtu mund të kërkohen analiza laboratorike dhe radiografi për të zbuluar fraktura të mundshme të fshehura.

Cilat janë shenjat paralajmëruese dhe dyshuese?

Dr. Fidan Sylë Berisha-Osteoporoza shpesh nuk jep simptoma, por disa shenja që duhen vërejtur janë humbja e gjatësisë trupore, krrusja e shpinës, dhimbje e papritur e fortë në shpinë dhe thyerje pas një rënieje të lehtë.

Kur duhet të lajmërohet një pacient tek mjeku?

Dr. Fidan Sylë Berisha-Konsulta rekomandohet në rast të menopauzës së hershme, përdorimit afatgjatë të kortikosteroideve, historisë familjare të osteoporozës, dhimbjeve kronike të shtyllës kurrizore apo në rast të peshës së ulët trupore.

Si bëhet trajtimi?

Dr. Fidan Sylë Berisha-Trajtimi është i individualizuar dhe përfshin përdorimin e medikamenteve që ngadalësojnë humbjen kockore ose stimulojnë formimin e saj, suplementimin me kalcium dhe vitaminë D, si dhe ndryshime në stilin e jetesës si shmangia e duhanit dhe alkoolit.

Si mund të lehtësojmë simptomat?

Lehtësimi arrihet përmes aktivitetit fizik të kontrolluar, fizioterapisë dhe në raste të caktuara përdorimit të mjeteve mbrojtëse për shtyllën kurrizore.

A ka shërim kjo sëmundje dhe pasojat e saj?

Dr. Fidan Sylë Berisha- Osteoporoza është sëmundje kronike, por mund të menaxhohet me sukses të lartë. Trajtimi modern mund të ulë ndjeshëm rrezikun e frakturave dhe të përmirësojë cilësinë e jetës.

Si trajtohej dikur dhe si trajtohet sot?

Dr. Fidan Sylë Berisha-Dikur konsiderohej pjesë e pashmangshme e plakjes dhe trajtohej kryesisht pas frakturave. Sot fokusi është në parandalim dhe diagnostikim të hershëm, me terapi moderne dhe efikase që e bëjnë trajtimin më të lehtë dhe më të përshtatshëm për pacientët.

Këshilla praktike për pacientët

Dr. Fidan Sylë Berisha-Ushqehuni shëndetshëm me produkte të pasura me kalcium, ekspozohuni në diell çdo ditë, bëni aktivitet fizik të rregullt, siguroni ambient të sigurt në shtëpi për të shmangur rrëzimet dhe mos neglizhoni kontrollet mjekësore.

Mesazhi nga mjeku!

Dr. Fidan Sylë Berisha-Osteoporoza nuk është pjesë e pashmangshme e plakjes, por një gjendje që mund të parandalohet dhe menaxhohet me kujdes dhe trajtim të duhur.

TË FUNDIT

TË FUNDIT