Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 7.998 copë produkte ushqimore për fëmijë, me peshë totale prej 4.130.80 kilogramësh, pas njoftimeve të marra përmes sistemit evropian të alarmit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar në bashkëpunim me kompaninë UNION SHPK dhe ka përfshirë produkte të markave “Aptamil” dhe “Nutricia Bebelac”. Sasia e asgjësuar është përcaktuar sipas datave të skadencës, në përputhje me njoftimet e pranuara nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).
AUV-i ka bërë të ditur se aktualisht është në proces verifikimi dhe gjurmueshmërie, për të konstatuar nëse ndonjë sasi e këtyre produkteve ka mbetur ende në treg.
Agjencia thekson se do të vazhdojë monitorimin e tregut dhe zbatimin e masave parandaluese e kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Kosovë. /Zëri



