Kosova kishte pasur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për projektin e gazsjellësit, por iniciativa nuk u çua përpara pasi nga viti 2021 qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti vendosi të mos e vazhdojë projektin. Në anën tjetër, në fund të prillit 2026, Shqipëria nënshkroi marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqia për gazin amerikan, shkruan Gazeta Metro.
Kosova ka humbur mundësinë për zhvillimin e projektit të gazsjellësit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pasi nga viti 2021 qeveria vendosi të mos e vazhdojë iniciativën dhe të fokusohet në investime për ruajtjen e energjisë elektrike përmes MCC-së.
Vendi kishte pasur më herët një marrëveshje për gazsjellës me SHBA-në në nivelin më të lartë politik, por projekti nuk u finalizua.
Ndërkohë, në fund të prillit 2026, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të tillë me SHBA-në dhe Greqinë për gazin amerikan, në kuadër të zgjerimit të projekteve energjetike amerikane në Ballkanin Perëndimor.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën për projektin “Southern Interconnection”, si dhe me vende të tjera të rajonit, me synim zgjerimin e infrastrukturës së gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe uljen e varësisë nga furnizimet ruse.
Pas nënshkrimit nga Shqipëria, situata e Kosovës me humbje të mëdha, ka nxitur reagime nga përfaqësues të sektorit ekonomik.
Oda Ekonomike e Kosovës ka vlerësuar se ky vendim ka pasoja të mëdha për sigurinë energjetike të vendit.
“Pasojat janë të mëdha. Kosova do jetë e varur nga importimi i energjisë elektrike… nuk guxojmë të mbetemi jashtë gazit amerikan sepse është interes strategjik i vendit tonë,” është deklaruar kryetari i OEK’ut Lulzim Rafuna.
Sipas Rafunës, mungesa e investimeve në gaz dhe varësia nga importi ndikon edhe në zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja.
“Pavarësia nga rrjeti i energjisë elektrike dhe importet nga rajoni ndikon në zhvillim ekonomik dhe investime të huaja,” është theksuar.
Instituti për politika zhvillimore ka vlerësuar se tranzicioni energjetik në Kosovë nuk është menaxhuar si duhet, duke theksuar vonesat në strategji dhe mungesën e fazave të ndërmjetme në kalimin nga qymyri në burime të ripërtëritshme.
“Kemi miratuar strategjinë me vonesë dhe jemi shumë vonë për zbatim. Do të kemi pasoja sepse do mbesim mbrapa vendeve të rajonit,” thuhet në analizë.
Kritika ka ardhur edhe nga Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, Martin Vulaj, i cili e ka cilësuar vendimin e Kosovës si gabim strategjik.
“Është e qartë se Kosova ka bërë një gabim të madh në refuzimin e gazit amerikan… kjo ndikon edhe në rolin e saj si partner strategjik i SHBA-së,” tha ai.
Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte theksuar se Kosova ende mund të luajë rol në nismat energjetike të SHBA-së në rajon.
“Kosova mund të luajë rol kyç në përpjekjet për diversifikimin e energjisë në Evropë… kompanitë amerikane mbeten të interesuara për përmirësimin e aksesit në burime energjie,” thuhet në përgjigjen e tyre.
DASH ka shtuar gjithashtu se MCC mbetet instrumenti kryesor i SHBA-së për mbështetjen e sektorit energjetik në Kosovë, përmes investimeve në stabilizimin e rrjetit dhe ruajtjen e energjisë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë vitit 2021 kishte treguar se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Rizvanolli këtë vendim e kaishte arsyetuar se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.
“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, ka thënë Rizvanolli gjatë një konferncë për media.
Ajo ishte arsyetuar se gjatë muajve në vijim “do të vazhdojmë punën e përbashkët intensive me ekipin e MCC-së, në këtë drejtim dhe jemi mirënjohës MCC-së, qeverisë amerikane dhe agjencive amerikane për ndihmën teknike dhe financiare i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin sektorit të energjisë së Kosovës”.
Atë botë më i zëshëm doli edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që kërkonte nga kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti, që të sqarohet në lidhje me gazin amerikan, duke ngritur dilema për vizitën që e kishte bërë Kurti në Greqi se ka takuar përfaqësuesit e Gazpromit.
“Po iu pyes Kryeministër Kurti: Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!?”, ka pyetur Haradinaj Kurtin .
Megjithatë, Kosova aktualisht nuk është pjesë e nismave më të fundit rajonale për gazin amerikan, ndryshe nga Shqipëria, Kroacia, Bosnje e Hercegovina dhe vende të tjera të Ballkanit që kanë nënshkruar marrëveshje të reja energjetike me SHBA-në.
Vendi vazhdon të përballet me varësi të lartë nga importi i energjisë elektrike dhe rritje të çmimeve të energjisë, në një kohë kur rajoni po orienton investimet drejt diversifikimit të burimeve energjetike përmes LNG-së amerikane./gazetametro.net



