spot_img
spot_img

Kadetët pa uniforma, zyrtareve policore u kërkohet t’i huazojnë kapelat për gjeneratën e 63-të deri në diplomim

Zyrtareve policore të gjinisë femërore u është kërkuar që t’i dorëzojnë kapelat e uniformës, në mënyrë që ato t’i huazohen gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, deri në diplomimin e saj.

Sipas një komunikimi të brendshëm të publikuar nga Vox Kosova, drejtorëve të drejtorive dhe shefave të njësive policore u është kërkuar që t’i njoftojnë zyrtaret policore për dorëzimin e kapelave.

Kapelat, sipas kërkesës, do të grumbulloheshin nga drejtoritë dhe njësitë policore, përfshirë edhe rajonet, dhe më pas do t’i dorëzoheshin Drejtorisë së Logjistikës së Policisë së Kosovës.

Në komunikim zyrtarëve të një njësie policore u është bërë e ditur se kapelat do t’i huazohen gjeneratës së 63-të deri në diplomimin e saj, pas së cilit pritet t’u kthehen pronareve.

Kjo kërkesë vjen pas shtyrjes së ceremonisë së diplomimit të kësaj gjenerate, e cila ishte paraparë të mbahej më 30 tetor. Kadetët janë njoftuar se ceremonia është shtyrë deri më 6 nëntor, për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe kapiteni i Policisë së Kosovës, Fatmir Balaj, i cili e ka cilësuar kërkesën si keqkuptim.

Duke komentuar rastin në emisionin “Debat Plus”, Balaj nuk ka dhënë detaje të tjera, por ka udhëzuar që informatat të kërkohen nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

“Është një keqkuptim. Për çdo gjë që keni për t’u informuar, Policia e posedon Zyrën e Mediave, informohuni atje”, ka thënë Balaj.

TË FUNDIT

TË FUNDIT