Tensionet në ndërmarrjen “Trepça” janë rritur pas deklaratës së menaxhmentit që mohon uljen e pagave për punëtorët, duke e cilësuar si “lajm të pavërtetë”. Por, një reagim i drejtpërdrejtë nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës e ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke e akuzuar menaxhmentin për dezinformim dhe mungesë transparence.
Kryetari i Sindikatës, Ibrahim Jonuzi, ka konfirmuar për mediat se dy kategori punëtore në “Trepçë” kanë pësuar ulje të pagës, përmes ndryshimit të kompensimit për rrezikshmëri – e gjitha kjo pa paralajmërim nga ana e menaxhmentit.
“Po, është e vërtetë. Në dy kategoritë punuese, ka ndryshim në pagesën e rrezikshmërisë”, tha Jonuzi.
Deklarata e tij bie ndesh me reagimin zyrtar të menaxhmentit të Trepçës, i cili pretendon se nuk ka pasur asnjë ulje page dhe se që nga janari 2025 është implementuar një softuer i ri për menaxhimin e pagave, i cili “garanton llogaritje të sakta dhe transparencë të plotë”.
Por për minatorët, realiteti është tjetër. Ata thonë se ndërrimi në kompensimin për rrezikshmëri ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e të ardhurave mujore – një veprim që, sipas tyre, është bërë pa asnjë njoftim dhe pa përfshirje të Sindikatës në proces.
Situata kujton edhe vështirësitë e verës së kaluar, kur minatorët përballeshin me vonesa të mëdha në ekzekutimin e pagave. Kjo, sipas tyre, është dëshmi e mëtejshme e menaxhimit të dobët dhe të papërgjegjshëm.
Qeveria Kurti, e cila në vitin 2021 kishte premtuar ringjalljen e “Trepçës”, nuk ka arritur të përmirësojë gjendjen në këtë ndërmarrje strategjike. Përkundrazi, minatorët thonë se situata është rënduar dhe se punëtorët vazhdojnë të mbajnë barrën e keqmenaxhimit institucional.
Në një kohë kur çmimet e produkteve bazë në Kosovë vazhdojnë të rriten, çdo ulje e pagave godet drejtpërdrejt mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre. Sindikata kërkon që menaxhmenti të tërhiqet nga vendimi dhe të hapë rrugë për dialog të vërtetë me përfaqësuesit e punëtorëve.